95 njerëz vdiqën nga një tërmet i fuqishëm në Tibet

Të paktën 95 njerëz kanë vdekur dhe 130 janë lënduar nga një tërmet i fuqishëm që e goditi rajonin bjeshkor të Tibetit të martën në mëngjes, raportojnë mediat shtetërore kineze, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Shumë njerëz të tjerë kanë ngecur nën rrënoja të shtëpive dhe ndërtesave në këtë rajon në perëndim të Kinës.

Mediat shtetërore raportuan se 1.000 shtëpi janë dëmtuar në Tibet.

Tërmeti u ndje edhe në Nepalin fqinj dhe në pjesë të Indisë.

Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së njoftoi se tërmeti ishte me magnitudë prej 7.1 ballësh dhe goditi në një thellësi prej rreth 10 kilometrash. Kina e regjistroi tërmetin si 6.8 ballësh.

Epiqendra e tërmetit ishte rreth 75 kilometra në verilindje të Malit Everest, i cili shtrihet në kufirin mes Kinës dhe Nepalit. Kjo zonë është sizmologjikisht aktive, pasi aty përplasen mes vete pllakat nëntokësore të Indisë dhe Eurazisë.

Rreth 50 lëkundje u dëgjuan në tri orët pas tërmetit, dhe zona turistike e Malit Everest në anën kineze u mbyll si pasojë.

Rreth 1.500 zjarrfikës dhe shpëtimtarë janë dërguar për t’i kërkuar njerëzit e ngecur nën rrënoja, sipas Ministrisë së Menaxhimit të Emergjencave. Gjithashtu, 200 ushtarë iu bashkuan operacionit të kërkimit, raportojnë mediat shtetërore.

Lideri i Kinës, Xi Jinping, bëri thirrje për përpjekje të gjithanshme për shpëtimin e njerëzve, minimizimin e viktimave dhe sistemimin e personave që kanë humbur shtëpitë e tyre.

Ndërkohë, në Nepal, autoritetet u kërkuan zyrtarëve në zonën bjeshkore në afërsi të epiqendrës të shikojnë nëse ka viktima apo dëme.

Qendra Kombëtare e Operacioneve Emergjente në Kathmandu raportoi se njerëzit në verilindje të Nepalit e ndien tërmetin, por nuk kishte njoftime të menjëhershme për lëndime apo dëme në shtëpi.