162 mijë euro për parmakët e lumit në Tetovë: Opozita denoncon abuzim dhe afërsi me kompaninë, komuna e quan arritje madhore

Parmakët e vendosur përgjatë shëtitores së Lumit Shkumbin në Tetovë kanë kushtuar rreth 162 mijë euro. Derisa shoqëria civile dhe opozita e konsiderojë si shpërdorim parash, autoritetet e paraqesin si arritje të madhe, shkruan Portalb.mk.  

Para dy ditëve, autoritetet promovuan parmakët përgjatë shëtitores së lumit, por ajo që ka ngritur shqetësim është vlera e projektit. 

Sipas nismës “Tetova do Park”, një shpërdorim i tillë fondesh, në kushtet kur Komuna e Tetovës justifikon çdo dështim për të investuar në fusha të reja sportive, objekte rekreative, kënde lojërash, parqe, gjelbërim dhe pajisje të mira urbane me mungesë parash dhe mbingarkesë me borxhe, është akt i turpshëm. 

“Kush arriti në përfundimin se një gardh hekuri kaq i lartë dhe shumë i trashë, i cili i pengon kalimtarët të shohin lumin dhe kushton shumë, është prioritet? Tetova nuk ka kapacitete të mjaftueshme në kopshte, shkollat rinovohen ekskluzivisht me donacione të pranuara rrallë, kemi rrugë pa ndriçim rrugor, qen të rrezikshëm dhe mbeturina në rrugë, dhe asnjë fushë moderne sportive nuk është ndërtuar sipas standardeve, asnjë metër shteg biçiklete apo vrapimi. Në këtë situatë, Komuna e Tetovës po i jep përparësi një gardhi prej hekuri që kushton plot 162,000 euro ”, thanë nga Tetova do Park. 

Për këtë projekt, Komuna e Tetovës më 22 tetor 2024 nënshkroi kontratë në vlerë prej 10,072,926 denarë (rreth 162 mijë euro) me Shoqërinë për punë ndërtimore “Infrastruktura”. 

Kontrata për parmakët përgjatë shëtitores së Lumit Shkumbin në Tetovë
Kontrata për parmakët përgjatë shëtitores së Lumit Shkumbin në Tetovë

Nga BDI Tetovë për Portalb.mk thanë se në çdo punë që kryhet në Tetovë, fshihet një skandal financiar që pasuron kryetarin e komunës. Ata madje thonë se realizuesi i projektit dhe shefi i Financave në Komunën e Tetovës janë komshinj. 

“Vendosja e rrethojave përgjatë lumit Shkumbin përbën edhe një keqpërdorim të radhës të kryetarit të komunës, Bilall Kasani dhe vartësve të tij. Çmimi prej 160 mijë eurove që përflitet në media (portale), për këtë projekt është larg realitetit të tregut tonë. Shto këtu edhe pjesën që Shefi i financave të komunës së Tetovës dhe realizuesi i projektit janë komshinj mes vete dhe kjo ngjall dyshime për kurdisje të tenderit dhe fryrje të çmimit së paku dyfish nga çmimi real. Kërkojmë nga organet kompetente që ta hetojnë këtë rast në mënyrë që qytetarët ta kuptojnë të vërtetën dhe përgjegjësit të ballafaqohen me drejtësinë”, thanë nga BDI Tetovë.  

Drejtori i Byrosë për Zhvillim Rajonal, Daut Memishi sqaroi se  vlera e përgjithshme e këtij projekti arrin në  10,173,000 denarë, mjete këto të siguruara përmes programit për zhvillim të barabartë rajonal 2023/24.  

“Byroja për Zhvillim Rajonal siguron 7,9 denarë ndërsa komuna 2,2 milionë denarë përmes kofinancimit. Me këtë është vendosur gardh mbrojtës në të dy anët e shëtitores pranë lumit në gjatësi prej 3153 metrash”, tha Memishi. 

Këtë projekt kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami e konsideroi si bashkëpunim të shkëlqyer midis pushtetit qendror dhe atij lokal. 

“Është projekt shumë i rëndësishëm për qytetin tonë dhe për stilin e jetës të cilin duam ta ofrojmë, që lumin t’ua kthejmë qytetarëve, që familjet tona bashkë me më të vegjilit e tyre të mund të dalin të shëtisin”, tha Kasami. 

Ndryshe, Lumi Shkumbin vazhdon të mbetet pa përkujdesje institucionale. Pavarësisht pastrimit të shtratit sa për sy e faqe, ai gjatë gjithë vitit është i ndotur nga mbetje të ndryshme.