Tetovë, për herë të katërt u pezullua plani për ndërtimet në zonën “Shik Jellak”, pritet plani i ri urbanistik

Për herë të katërt Këshilli i Komunës së Tetovës e ka pezulluar edhe për gjashtë muaj zbatimin e planit detal urbanistik 57 (57A), e njohur ndryshe si vendi i ish fabrikës “Shik Jellak”. Kjo sipas komunës bëhet për të mbrojtur interesin publik, ndërsa pritet miratimi i planit të ri për këtë zonë, raporton Portalb.mk.

Kryetari i Këshillit Komunal të Tetovës, Besar Drumishi sqaroi se pezullimi i planit detal urbanistik vazhdon deri në sjelljen e një plani të ri urbanistik.

“Kemi pasur debat publik me qytetarët, kemi votuar iniciativë për planin e ri, kemi dorëzuar deri në Ministrinë e Transportit dhe ministritë përkatëse dhe presim miratim nga ministritë dhe të sjellim në fuqi planin e ri i cili plan parasheh që të ketë më shumë hapësira publike, më shumë ambient të gjelbër dhe më pak ndërtime”, tha Durmishi.

Këshilltari komunal nga BDI, Sali Elmazi në seancë theksoi se me këtë pezullim i iket përgjegjësisë.

“Ne si duket çdo gjashtë muaj bëjmë pezullimin, me këtë si duket i ikim përgjegjësisë për dhënie të një vendimi se çfarë do bëhet me të njëjtën bllok. Është koha që t’i japim një zgjidhje, a do të jetë park a do të jenë banesa apo çfarëdo, komuna si institucion duhet të japë një plan se çfarë do bëhet me të njëjtin bllok. Mendoj se është e tepërt më pezullimi duhet të dalim me një qëndrim të saktë për të njëjtin”, tha Elmazi.

Kjo pikë u miratua pasi 17 këshilltarë votuan “për” ndërsa 11 “të përmbajtur”.

Deri tani ky plan është pezulluar katër herë

7 prill 2022, Këshilli Komunal i Tetovës pezulloi për një vit planin detal urbanistik për bllokun 57 dhe 57A “Shik Jellak”.

31 mars 2023 Këshilli i Komunës për herë të dytë pas një viti pezulloi edhe për gjashtë muaj disa pjesë të dispozitave planore të planit detal urbanistik 57 dhe 57A.

31 tetor 2023 Këshilli Komunal për herë të tretë e pezulloi edhe për gjashtë muaj zbatimin e planit urbanistik për bllokun urban 57 dhe 57A.

Ndërsa me votimin e sotëm u bë pezullimi i katërt.

Kjo sipas Komunës u bë për të mbrojtur interesin publik dhe se gjatë kësaj periudhe do të përgatitej plan i ri për të njëjtat.

Cila është prapavija?

Komuna e Tetovës gjatë mandatit të dytë të Teuta Arifit ndryshoi tërësisht planin detal urbanistik të bllokut urban 57A që më pas u “përgatit” shitja e pronës “Shik Jellak” biznesmenit kontrovers serbo-malazez, Miodrag Daka Davidoviq, ku parashihej që kjo pjesë të shndërrohet në bllok urban për ndërtimin e banesave dhe një qendre tregtare.

Davidoviq për opinionin në Maqedoninë e Veriut është i njohur prej bisedave të publikuara gjatë periudhës para zgjedhjeve parlamentare, ku përmendet edhe puna në lidhje me Shik Jellakun- Tetovë.