Sonte fillon Festivali i Filmit WatchOut, ja çfarë ju pret për katër ditë (Video)

Edicioni i trembëdhjetë i Festivalit të Filmit WatchOut fillon sonte (12 qershor) dhe do të zgjasë deri të shtunën (15 qershor), raporton Portalb.mk.

Vendi i zakonshëm i shfaqjeve të festivalit mbetet amfiteatri përballë Muzeut të Partisë Komuniste në Tetovë, ndërsa projeksionet do të shfaqen me fillim nga ora 20:00.

Një ndër organizatorët e Fesivalit, Bujar Luma, tha se buxheti i festivalit prej vitesh ka mbetur pothuajse i njëjtë, pa mbështetje nga institucionet përkatëse.

“Festivali jonë ka pak a shumë të njëjtën moshë që e ka edhe Doku Festi në Prizren. E kemi filluar pak a shumë me të njëjtin buxhet të financave, ndërkohë që vazhdojmë të jemi te buxheti i njëjtë ose përkrahja e njëjtë që e kemi nga instituti Goethe në Shkup, ndërkohë që bashkëpunimi që Doku Fest ka pasur me autoritetet e Pizrenit, nëse shihet nga aspekti financiar, është një imput i jashtëzakonshëm që i jepet qytetit gjatë muajit gusht, por mbi të gjitha ka ndikuar në hapjen e qytetit në vendosjen e urave shtesë të bashkëpunimit dhe kështu është në të gjithë festivalet, të cilët kemi pas mundësi t’i vizitojmë. Kjo është një motiv shtesë për autoritetet, të cilët duhet të bashkëpunojnë me organizuesit e evenimenteve kulturore, edukative”, tha Luma.

Përndryshe, në rast reshjesh, projeksionet do të organizohen në Qendrën LOJA, të dyja hapësira multifunksionale, Kinemaja e Xhepit dhe Community Room.

Hyrja për të gjitha projeksionet është falas.

“Festivali përdor artin dhe kulturën për të sjellë realitetin e tjetrit më pranë nesh duke e lidhur atë me shpresën për një të ardhme më të mirë”, thonë nga LOJA.

Këtë vit për WatchOut! arritën 630 filma nga 81 vende dhe 6 kontinente.

Juria e festivalit, Julia Oschinski, aktiviste qytetare; Oliver Musovik, artist bashkëkohor dhe Milto Kutali, regjisor teatri dhe profesor universiteti kanë shpërblyer këto filma:

  • Film me metrazh të shkurtër: Prova e dashurisë (Proof of Love), Denis Nazzari, Itali;
  • Film eksperimental dhe i animuar: Ana Morphose, Joao Rodrigues, Portugali;
  • Filmi dokumentar: Ne, Gratë e Mbijetuara (We, Women Survivors), Itxaso Díaz, Spanjë.

Të gjithë filmat do të shfaqen në versionin origjinal me përkthim në gjuhën angleze.

“Filmat dëshmojnë se kinematografia është një urë lidhëse për botën dhe shkon përtej çdo kufiri. Jemi të lumtur të dëshmojmë se WatchOut! është kthyer në një festë të kinematografisë dhe një pikë referimi për autorët e filmit dhe filmdashësit”, thonë nga LOJA.

Përveç projeksioneve të mbrëmjes, edicioni i sivjetshëm do të shënohet me punëtori dhe me një projeksion special filmi të ndjekur nga një debat i cili do të zhvillohet në ambientet e Qendrës LOJA.

Më poshtë ndiqni pjesëza nga konferenca për shtyp para hapjes së festivalit.

Si gjithnjë, ky festival organizohet nga Qendra për Bashkëpunim Ballkanik LOJA dhe mbështetet nga Instituti Goethe Shkup dhe Kurve Wustrow.