Zyrtari i OKB-së: Gjatë ditëve të fundit mbi 75 mijë palestinezë janë zhvendosur në jugperëndim të Gazës

Kreu i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA), Philippe Lazzarini, ka bërë të ditur se më shumë se 75 mijë palestinezë janë zhvendosur në jugperëndim të Gazës gjatë ditëve të fundit, transmeton Anadollu.

Lazzarini në platformën sociale X tha se gjatë dekadave civilët palestinezë janë kapur në luftëra dhe konflikte shumë herë.

“Vetëm në ditët e fundit, më shumë se 75 mijë njerëz janë zhvendosur në jugperëndim të Gazës”, theksoi Lazzarini.

Ai theksoi se autoritetet izraelite lëshuan urdhra shtesë gjatë natës së kaluar duke detyruar “përsëri dhe përsëri” më shumë njerëz të zhvendosen.

Ai shtoi se disa nga palestinezët që po zhvendoseshin ishin në gjendje të mbanin vetëm fëmijët e tyre me vete, “disa mbanin gjithë jetën e tyre në një çantë të vogël”.

“Ata po shkojnë në vende të mbipopulluara ku strehimoret tashmë janë të mbushura me familje. Ata kanë humbur gjithçka dhe kanë nevojë për gjithçka. Ndryshe nga luftërat e tjera, njerëzit e Gazës janë të bllokuar dhe nuk kanë ku të shkojnë”, shtoi Lazzarini.

Mbrëmë vonë dhe sot herët, ushtria izraelite lëshoi urdhra evakuimi për banorët në Rripin e Gazës, e fundit prej të cilave u lëshua për “zonën e sigurt humanitare” në Khan Younis në Rripin e Gazës jugore.

Kjo është hera e tretë në rreth një javë që ushtria izraelite ka zgjeruar urdhrat e saj të evakuimit në Khan Younis, ku njoftoi fillimin e një operacioni ushtarak të premten.

Pavarësisht thirrjeve të enjten nga ndërmjetësit, përfshirë Egjiptin, SHBA-në dhe Katarin, për të ndaluar armiqësitë, si dhe për të arritur një armëpushim dhe një marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve, Izraeli vazhdon me sulmet vdekjeprurëse kundër Gazës.

Që nga tetori i kaluar, pas sulmit ndërkufitar të Hamasit, sulmet izraelitë kanë vrarë të paktën 39.800 palestinezë. Më shumë se dhjetë muaj pas sulmit izraelit, pjesë të mëdha të Gazës mbeten në gërmadha mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila e urdhëroi Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionin ushtarak në qytetin Rafah, ku më shumë se 1 milion palestinezë kanë kërkuar strehim nga lufta përpara se qyteti të pushtohej më 6 maj.