Vuçiq mohoi se ka raporte të ngushta me Putinin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka mohuar se ka raporte të ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin. Ai po ashtu hodhi poshtë idenë se kandidatura e shtetit të tij për anëtarësim në Bashkimin Evropian ishte një “Kali i Trojës” për Moskën, pavarësisht se shteti i tij ka refuzuar t’iu bashkohet sanksioneve evropiane për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, por edhe për shkak të dallimeve të tjera me bllokun, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Duke folur në konferencën Globsec në Pragë më 31 gusht, Vuçiq tha se ai nuk është takuar apo nuk ka biseduar me Putinin në të paktën dy vjet e gjysmë, që kur trupat ruse nisën pushtimin e Ukrainës në shkurtin e vitit 2022.

“Ne jemi në rrugën e BE-së. Po, ne tradicionalisht kemi raporte të mira – nuk po i fshehim ato dhe unë nuk turpërohem nga kjo – me Rusinë, gjithmonë ka qenë kështu mes serbëve dhe rusëve”.

Ai tha se përderisa së fundi ka pasur një bisedë “të mirë” me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila po ashtu këtë javë po qëndron në Pragë, “askush në Evropë nuk pajtohet me mua për këtë çështje, por të gjithë në Evropë e kuptojnë pozicionin tim”.

Ai shtoi se mendon se Serbia është duke zbatuar agjendën e saj të rritjes dhe reformave “më mirë se kushdo tjetër”.

Serbia dhe Turqia janë shtetet e vetme kandidate të BE-së që nuk kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Zyrtarët serbë, veçmas zëvendëskryeministri Aleksandar Vulin, kanë mbajtur raporte të ngushta me Moskën që nga nisja e pushtimit të Ukrainës.

Vuçiq u bëri thirrje partnerëve evropianë që të tregojnë më shumë besim ndaj qëllimit të Serbisë për t’iu bashkuar bllokut evropian.

Ai tha se procesi varet jo në raportet e Serbisë me Rusinë, por në normalizimin e raporteve me Kosovën.

“Po, ne jemi në rrugën evropiane dhe problemi më i madh për Serbinë…. është raporti ynë me Prishtinën”, tha Vuçiq, duke shtuar se kjo çështje është e vështirë për shtetin e tij.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për normalizim të raporteve që nga viti 2011, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Qëllimi është të krijohet besim i ndërsjellë mes Serbisë dhe BE-së, e jo Serbia të shihet si “Kali i Trojës” për Rusinë”, tha Vuçiq.