Pushteti i LSDM-së e ka kapur plotësisht gjyqësorin dhe e ka vënë nën kontrollin e tij; me presione dhe shantazhe gjithçka është dashur të bëhet sipas vullnetit të saj, akuzoi sot VMRO-DPMNE, pasi dje LSDM doli me akuza të ngjashme ndaj partisë në pushtet, transmeton Portalb.mk.
LSDM-ja deklaroi se gjyqësori dhe prokuroria janë vënë nën kontroll të drejtpërdrejtë të kryeministrit Hristijan Mickoski, duke vlerësuar se drejtësia në shtet po shembet dhe institucionet po partizohen.
Nga VMRO-DPMNE thonë se me udhëzime të partisë dhe të Zoran Zaev, janë zgjedhur gjyqtarë dhe prokurorë të përshtatshëm e të dëgjueshëm, ndërsa me urdhrin e tyre janë shkarkuar me procedurë të përshpejtuar, brenda një dite, gjyqtarë të paanshëm dhe profesionistë që nuk kanë qenë nën kontrollin e tyre.
Ata shtojnë se dëshmitë publike konfirmojnë atë që kanë thënë në vitet e fundit, se “LSDM dhe BDI e kanë vënë nën kontroll të plotë gjyqësorin dhe prokurorinë dhe se gjyqtarët dhe prokurorët janë zgjedhur në selitë partiake në Strumicë dhe Zajaz.
Nga LSDM, ndërkaq, e akuzojnë kryeministrin Mickoski për ndërhyrje të drejtpërdrejtë në zgjedhjen e prokurorit të ri të shtetit dhe për “varrosjen” e shtetit ligjor. Ata pretendojnë se ndryshimi i prokurorit ka qenë qëllim politik i Mickoskit për të vendosur kontroll të plotë mbi gjyqësorin dhe prokurorinë. Sipas partisë, eliminimi i Ristoska-s është konfirmim se pushtetit nuk i përshtatet një profesionist me integritet.
Në njoftimin e saj, LSDM rendit disa shembuj që, sipas tyre, dëshmojnë partizimin e gjyqësorit, emërimin e bashkëshortes së një kryetari komune nga radhët e VMRO-DPMNE-së si anëtare e Këshillit Gjyqësor, zgjedhjen e një ish-këshilltari të Mickoskit si gjyqtar kushtetues, si dhe pretendimin se Qeveria i di paraprakisht vendimet gjyqësore për procese që nuk kanë përfunduar dhe se kryeministri nga foltorja e Kuvendit u ndan detyra gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Ndryshe, sipas raporteve të fundit të Komisionit Evropian dhe Freedom House, pavarësia e gjyqësorit mbetet e ulët, ndërsa besimi i qytetarëve në gjyqësor ka rënë në nivelin më të ulët historik prej 2% që nga pavarësia në 1991.
Kujtojmë se viti 2025 shënoi një periudhë të trazuar për sistemin e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, me ngërçet strukturore, ndërhyrjet politike dhe mungesën e resurseve që prej vitesh e dëmtojnë funksionimin e mirëfilltë të gjyqësorit. Nga presioni i hapur ndaj Këshillit Gjyqësor dhe përplasjet rreth Prokurorisë Publike, te kritikat e ashpra të Bashkimit Evropian, ShBA-së dhe organizatave ndërkombëtare, ky vit nxori në pah brishtësinë e pavarësisë gjyqësore dhe stagnimin e reformave që mbeten thelbësore për integrimin evropian të vendit.