Venezuelasit u përleshen me policinë, pas rezultatit të kontestuar të zgjedhjeve
Forcat e sigurisë në Venezuelë kanë përdorur gaz lotsjellës dhe plumba gome kundër protestuesve, të cilët kundërshtojnë rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura të dielën, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Mijëra persona kanë dalë nëpër rrugët e Karakasit, dhe janë nisur drejt pallatit presidencial.
Turmat janë dëgjuar duke bërtitur “Liri, liri!” dhe kanë bërë thirrje për rënie të Qeverisë.
Protestat në kryeqytetin e Venezuelës kanë shpërthyer pasi presidenti aktual, Nicolas Maduro, ka shpallur fitoren.
Opozita e konsideron deklarimin e Maduros si mashtrim, dhe beson se kandidati opozitar, Edmundo Gonzalez, ka fituar mbi 73 për qind të votave.
Edhe sondazhet publike, që janë mbajtur para zgjedhjeve, e kanë nxjerrë fitues kandidatin e opozitës.
Partitë opozitare janë bashkuar këtë herë, në tentim e sipër për të larguar Maduron nga pushteti, i cili është në krye të vendit që 11 vjet.
Banorët e Venezuelës, gjithashtu, ankohen edhe për krizën ekonomike në vend.
Disa vende të Perëndimit dhe të Amerikës Latine, sikurse edhe Kombet e Bashkuara, u kanë bërë thirrje autoriteteve përgjegjëse që t’i publikojnë të dhënat e detajuara të votimeve.
Argjentina është njëra prej shteteve që ka refuzuar të njohë fitoren e Maduros në zgjedhje dhe si përgjigje, Venezuela i ka tërhequr diplomatët prej Buenos Airesit.
Diplomatë në gjashtë shtete tjera të Amerikës Latine – Kilit, Kosta Rikës, Panamasë, Perusë, Republikës Dominikina edhe Uruguajt – janë tërhequr, po ashtu, për shkak të atyre që ministri i Jashtëm i Venezuelës, Yvan Gil, i ka përshkruar si “deklarata dhe veprime ndërhyrëse”.
Qeveria e Venezuelës ka njoftuar se ka pezulluar përkohësisht fluturimet komerciale me Panamanë dhe Republikën Dominikane.
Maduro e ka akuzuar opozitën se po bën thirrje për puç.
“Kjo nuk është hera e parë që po përballemi dhe atë që po shohim tani”, ka thënë ai.
“Ata po tentojnë të kryejnë puç në Venezuelë, të karakterit fashist dhe kundër-revolucionar”.
Ndërkohë, zyrtarë të lartë të administratës amerikane kanë thënë se rezultatet e publikuara nuk përkojnë me vullnetin e popullatës.
Organizata e Shteteve Amerikane (OAS) ka thënë të hënën vonë se do të organizojë një mbledhje të mërkurën, për t’i diskutuar rezultatet e zgjedhjeve në Venezuelëd