U përmbyll punëtoria muzikore me fëmijët parashkollorë në Tetovë

Punëtoria muzikore disaditore me fëmijë parashkollorë që u realizua nga profesoresha Teuta Halimi në Tetovë u përmbyll me sukses, njofton Portalb.mk

Punëtoria kishte për qëllim stimulimin muzikor të fëmijëve parashkollorë, interesimin për tu marrë me muzikë dhe për t’i mësuar instrumentet muzikore dhe këndimin, duke e përzgjedhur si mundësi edhe shkollën e muzikës, zhvillimin e muzikalitetit si dhe mësojnë si të sillen kur artisti performon në skenë.

Megjithatë aktiviteti kishte edhe qëllime që jo domosdoshmërisht lidheshin me muzikën, si socializimi i fëmijëve, zhvillimi emocional, kognitiv dhe motorik i tyre.

Nga ana tjetër për edukatoret dhe studentët e muzikës, punëtoria pati për qëllim që të bëjë trajnim për realizimin e aktiviteteve muzikore të mësimit parashkollor.

Punëtoria kishte dhe plan programin e vet i cili bazohej kryesisht në këto objektiva; këndimin, numëroret muzikore fëmijërore, muzika dhe lëvizjet, njohja e instrumenteve muzikore.

Për çdo temë janë realizuar aktivitete të ndryshme si këngë, recitime ritmike, lëvizje trupore me muzikë, interpretim në instrumente muzikore etj.

Në aktivitetin përmbyllës morën pjesë fëmijët e çerdhes, edukatoret si dhe studentet e Fakultetit të Artit Muzikor të cilët të gjithë së bashku ishin pjesë aktive e kësaj punëtorie.