U mbajt nata e parë e Festivalit të Këngës në RTK, rrugëtimi i tri netëve u hap me mesazhe për unitet

Mbrëmë në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, filloi rrugëtimi trinetësh i Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës. Eventi madhështor filloi nga ora 21:00, ndërkohë para kësaj në tapet të kuq janë mirëpritur mysafirët e publiku. Para fillimit të Festivalit u lexuan poezi të Gjergj Fishtës, Faik Konicës, Fan Nolit, Atë Zef Pllumit e Ukshin Hotit. Janë poezi për realitetet që i përgjigjen edhe kohës së sotme e që thërrasin për unitet kombëtar, njofton Portalb.mk.

Këtë mbrëmje me prezencën e tyre në skenë e kanë madhështuar Ylli Limani, Elita 5 dhe Aurela Gaçe.

Festivali filloi me këngën “N’Shqipni” me Dea Stricën e më pas interpretoi Greta Azizi këngën “Verës”. Agim Poshka nga Maqedonia e Veriut, interpretoi këngën “Ndarja erdhi” me tekst të Ismail Kadaresë. Kjo këngë flet për ndarjet nga personat e rëndësishëm në jetën tonë, jo vetëm atë romantike, por edhe ndarjet fizike me njerëzit e rëndësishëm të përditshmërisë tonë, dhe flet për mënyrën se si ne përpiqemi ta përballojmë këtë realitet të ri.

Në skenë interpretuar edhe fituesi i kaluar La Fazani këngën “Oj Kosovë”.

Jehona Lumi ka interpretuar këngën “Shko”. Drita Kabashi ka interpretuar këngën ikonike “Mallëngjimi” të kënduar dikur nga Muharrem Qena.

Ritmet rock i kanë sjellë “Zonja tradhti” nga Rei Bezhani dhe Inorga me “Seks mashina nga Prishtina”. Vokal i fuqishëm dhe ritme të lehta janë sjellë me “Fundosu në dritë” e kënduar nga Ardita Begu.

Një tematikë të ndjeshme ka përcjellë edhe kënga “Unë – Ajo” nga Besmir Shishko që flet për dhunën ndaj grave.

Surpriza për publikun ka qenë Yll Limani, i cili ka kënduar këngën “Ty”.

Këngë më të ndjera kanë qenë “Një të vetme ka në jetë” nga Bledi Kaso dhe “Flas me gjethen” nga Endrit Krasniqi.

Lideri i bendit “Elita 5” nga Maqedonia e Veriut ishte mysafiri special i festivalit dhe befasia për publikun. Ka kënduar hitin “Faleminderit” për të vazhduar me “Më fal”.

Si mysafire e Festivalit, Aurela Gaçe ka interpretuar këngën “Dua të më duash”.

Në pjesën e fundit të programit interpretuan Arnitë Kastrati me këngën “Blla, blla”, Vlona Boshnjaku me “Lotët”, “Ti je i pashpirt” nga Bruna Sata dhe “Dielli të më shohë” nga Luna Çaushollaj.

Gjashtëmbëdhjetë këngë garojnë në edicionin e sivjetmë të Festivalit të Këngës në RTK. Edhe sonte në natën e dytë do të interpretohen të gjitha këngët garuese, e gjysma prej tyre do të përzgjidhen nesër në natën finale, të shtunën mbrëma. Grupi “Lindja”, këngëtari Alban Skënderaj e artisti shqiptar me emrin skenik Stanaj, janë paralajmëruar si mysafirë të natës së sontme.

Për këtë edicion është përzgjedhur juria e përbërë prej: Minire Fetahut, redaktore e muzikës në RTK, Jane Sugarman, muzikologe dhe njohëse e muzikës shqiptare, Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e portalit për art dhe kulturë “KultPlus”, Valbona Selimllari, prezantuese dhe Blerta Zeqiri, regjisore.

Është prezantuar edhe trofeu që qysh edicionin e kaluar është emërtuar “Diamanti blu”.