U hap shoqata “Gonxhet”, Miranda Hashani: U themelua për gratë që nuk gjejnë përkrahjen e nevojshme në shoqëri
Në Shkup, këto ditë u hap Shoqata për afirmimin e artit, kulturës dhe gruas “Gonxhet”, një organizatë e re që vjen si përgjigje ndaj nevojës për më shumë hapësirë, përfaqësim dhe vlerësim të gruas shqiptare në jetën kulturore dhe shoqërore të vendit, shkruan Portalb.mk.
Këngëtarja Miranda Hashani kryetare e shoqatës, për Portalb.mk tha se Shoqata “Gonxhet” ka për qëllim ta mbështes, frymëzoj dhe afirmoj gruan përmes artit, kulturës dhe krijimtarisë.
“Shoqata “Gonxhet” u themelua me synimin për të krijuar një hapësirë të sigurt, mbështetëse për art, kulturë, si dhe vajzat dhe gratë, veçanarisht ato që shpesh nuk gjejnë përkrahjen e nevojshme në shoqëri. Qëllimi ynë është të krijojmë një hapësirë që fuqizon gratë, përkrah artistët e rinj, ruan trashëgiminë tonë kulturore, mbi të gjitha të fuqizojmë vlera, pra kjo është motoja jonë”, tha Hashani.

Ajo edhe më tej shtoi se kjo dëshirë ka qenë e kahmotshme për të kontribuar për vendin e saj.
““Gonxhet” ishte një thirrje e brendshme dhe një dëshirë e kahmotshme për të kontribuar për vendin tim, dhe tani besoj erdhi koha dhe rrethanat për ta realizuar”, tha Hashani.
Hashani edhe më tej deklaroi se nëpërmjet kësaj shoqate gratë do të kenë përfaqësim më të mirë në sfera të ndryshme.
“Po, besojmë fuqishëm se përmes punës sonë do të kontribuojmë në rritjen e përfaqësimit të grave në fusha të ndryshme. Nuk mjafton vetëm të kërkosh barazi, duhet edhe të krijosh mjedise që e mundësojnë atë. Përmes projekteve, mentorimeve, fushatave ndërgjegjësuese dhe bashkëpunimeve konkrete, “Gonxhet” po bëhet një urë reale drejt pjesëmarrjes më të gjerë të grave në jetën publike dhe profesionale”, tha Hashani.
Ajo shtoi se janë të hapur për bashkëpunime dhe mbështetje të mëtejshme për ta zgjeruar misionin drejt vlerave dhe barazisë.
“Jemi në një proces të vazhdueshëm të sigurimit të burimeve si financiare, ashtu edhe njerëzore. Qëllimi është i bazuar te vullneti, pasioni dhe solidariteti mes nesh. Megjithatë, gjithmonë jemi të hapur për bashkëpunime dhe mbështetje të mëtejshme për ta zgjeruar misionin drejt vlerave dhe barazisë. Shpresojmë që do të kemi dhe mbështetjen e duhur institucionale”, tha Hashani.
“Gonxhet” do të kontribuon në nxitjen dhe mbështetjen e iniciativave të udhëhequra nga gra përmes sigurimit të burimeve dhe promovimit të fuqizimit ekonomik të tyre, me theks të veçantë në ekonominë e gjelbër dhe shumë projekte të tjera.