U hap qendra e parë për këshillim dhe mbështetje të djemve dhe burrave në RMV

Në Maqedoninë e Veriut është hapur qendra e parë për këshillim dhe mbështetje të djemve dhe burrave (MM). Kjo qendër e cila u hap nga HERA – Asociacioni për edukim shëndetësor dhe hulumtim, do të ofrojë këshillim falas nga psikoterapistë dhe psikologë, transmeton Portalb.mk.

Këshillimi ofrohet me prezencë fizike ose përmes kanaleve virtuale në gjuhën maqedonase dhe shqipe.

Qendra do të jetë e hapur për këshillim të martën, të mërkurën dhe të enjten nga ora 10:00 deri në orën 17:00.

Terminet duhet të caktohen në numrin e telefonit 070/299-026, ose në emailin – [email protected], apo edhe në profilin e Instagramit man.mind.skopje.

Me rastin e hapjes së qendrës, menaxherja e programit nga HERA, Vesna Matevska, theksoi se kjo lloj qendre është e nevojshme në sistem, siç tregojnë të gjitha të dhënat dhe hulumtimet e bëra në vitet e fundit.

“Barazia gjinore u referohet vajzave dhe djemve dhe grave dhe burrave. Barazia gjinore do të thotë gjithashtu mbështetje dhe kujdes për shëndetin mendor dhe fizik për djemtë dhe burrat. Heshtja nuk është zgjidhja kur djemve u mungon forca për të përballuar sfidat”, thonë nga HERA.

Kiril Trojaçanec, psikolog dhe ekspert i stresit në hapjen e Qendrës theksoi se pritshmëritë sociale i shtyjnë djemtë që në moshë të re të mos shfaqin emocionet e tyre, gjë që është shkaku i stresit të vazhdueshëm dhe shëndetit mendor të cenueshëm.

Trojaçanec porositi djemtë se heshtja nuk është zgjidhja kur përballemi me dhunën e bashkëmoshatarëve.

Psikologija Lençe Aleksovska Veliçkovska theksoi se pritshmëritë që trajnerët, shokët e skuadrës dhe tifozët i bëjnë sportistëve mund të shërbejnë si forcë motivuese, duke i inkurajuar ata të arrijnë më të mirën e tyre, por kur pritshmëritë janë shumë të larta, ato çojnë në rritje të stresit, ankthit dhe sjelljes së dhunshme.

Matevska nga HERA theksoi se vendi ka nevojë për një qendër të tillë mbështetëse.

“Ata tani do të kenë vendin e tyre ku mund të kërkojnë hapur zgjidhje për sfidat dhe një vend ku djemtë dhe burrat mund të marrin mbështetje për rritjen dhe zhvillimin emocional”, thonë nga HERA.

Kjo qendër pritet të ofrojë një mjedis i sigurt dhe mikpritës ku djemtë dhe burrat mund të flasin hapur për nevojat e tyre dhe të kërkojnë mbështetje pa u etiketuar.