Trump paralajmëroi se të hënën do të bisedojë me Putinin dhe Zelenskyn për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, paralajmëroi se planifikon të bisedojë me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në një përpjekje për të ndaluar “gjakderdhjen” në Ukrainë, transmeton Portalb.mk.
Trump, në një postim në llogarinë e tij në rrjetin social Truth Social të shtunën, shkroi se do të bisedojë me Putinin të hënën në mëngjes.
“Temat e bisedës do të jenë, ndalimi i “gjakderdhjes” që vret, mesatarisht, më shumë se 5.000 ushtarë rus dhe ukrainas në javë dhe tregtia”, ka shkruar Trump.
Trump vazhdimisht përmend një numër të viktimave në konflikt që është dukshëm më i lartë se shifrat zyrtare ose vlerësimet e bazuara në hetime me burime të hapura, pa dhënë një shpjegim.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i konfirmoi agjencisë shtetërore ruse të lajmeve se po bëhen përgatitje për një bisedë midis Trump dhe presidentit rus.
Sipas paralajmërimeve, pas bisedës me presidentin rus, Trump planifikon bisedime të ndara me udhëheqësin ukrainas Zelensky, si dhe me udhëheqësit e NATO-s, si pjesë e përpjekjeve të tij për t’i dhënë fund luftës që filloi me një pushtim të plotë rus në vitin 2022.
Këto paralajmërime vijnë pasi Rusia dhe Ukraina përfunduan së fundmi bisedime kryesisht të pasuksesshme në Stamboll, të cilat ishin të parat e këtij lloji që nga fillimi i luftës. Ukraina ka thënë se është gati për një armëpushim, por është përballur me kërkesa “të papranueshme” nga Rusia.