Tri nominime për “Heldin”, sukses i madh për aktorin Ridvan Murati

Aktori shqiptar Ridvan Murati po ecë me hapa të sigurt drejt konsolidimit të emrit të tij në kinemanë evropiane, duke u bërë gjithnjë e më i pranishëm në rrethet ku vendosen standardet e filmit bashkëkohor. Së fundmi, ai mori pjesë në ceremoninë e shpalljes së nominimeve për “Schweizer Filmpreis” eventi më i rëndësishëm dhe më i ndjekur i vitit për kinematografinë zvicerane, ku nderohen krijimet më të spikatura dhe talentet që kanë lënë gjurmë gjatë sezonit, shkruan Portalb.mk.

Në një mbrëmje që mbledh producentë, regjisorë, aktorë dhe profesionistë të njohur të industrisë, prania e Muratit nuk kaloi pa u vënë re, veçanërisht për shkak të interpretimit të tij në filmin “Heldin” një projekt që po flitet gjithnjë e më shumë në qarqet e kinemasë dhe që po përshëndetet nga kritika për nivelin e lartë artistik dhe qasjen e veçantë narrative.

Roli i tij në këtë film i ka dhënë peshë prezencës së tij në këtë event, duke e pozicionuar Muratin si një aktor që po fiton hapësirë me meritë në kinemanë zvicerane dhe evropiane.

Aktori Ridvan Murati në një intervistë dhënë më parë për Portalb.mk tha se ai luan rolin e një pacienti bashkë me bashkëshorten e tij, me të cilën kanë shpesh sfida. ‘Heldin’ zhvillohet brenda një ndërrimi pune (‘Late Shift’) dhe si bashkëprodhim zvicerano-gjerman prek një dramë shumë reale të sistemit shëndetësor, prandaj edhe po shfaqet në shumë vende të botës.

“Kur e kam kuptuar që edhe ajo është në rol kryesor, atëherë më ka pëlqyer edhe më shumë. Unë jam aty si një pacient bashkë me bashkëshorten time, me cilën ka shpeshherë sfida. Aktorja kryesore bashkë me ne, edhe gjithë të tjerët në një farë mënyre janë pacient, përveç aktores kryesore, e cila e luan një motër medicinale. Filmi ka një temë që luhet brenda një dite D.m.th krejt ngjarja ndodh brenda një ndërrimi të punës për atë dhe quhet Latet Shift. Filmi është një bashkëprodhim Zvicrano-Gjerman, dhe gjitha ato ngjarje, të cilat i ka një dramë, e cila e ka prekë jo vetëm Zvicrën e Gjermaninë, me cilën sipas gjitha gjasave pas disa viteve ka me pas shumë problem në anën e mjekësisë, por e ka prek edhe një pjesë shumë të madhe të botës përfshirë: Spanjën, Francë, Italinë, tash ka shkuar edhe në Tajvan, Londër, Portugali, në Amerikën Latine, edhe po pritet të shfaqet edhe në shumë vende të tjera, të cilët e kanë sinkronizuar edhe kanë filluar me shfaqë në kinematë e tyre”, ka thënë Murati.

Filmi “Heldin” ka arritur të nominohet në tri kategori kryesore:

  • Filmi më i mirë artistik
  • Skenari më i mirë
  • Zëri më i mirë

Këto nominime janë dëshmi e qartë e nivelit artistik dhe profesional të “Heldin”, i cili tashmë është renditur ndër projektet më të rëndësishme të vitit në kinemanë zvicerane.

Ceremonia finale e ndarjes së çmimeve pritet të mbahet në muajin mars, ku do të mësohet edhe nëse filmi do të kurorëzohet me çmim. Por pavarësisht rezultatit, vetë nominimi në këto kategori përbën një sukses të madh për ekipin realizues dhe veçanërisht për Ridvan Muratin, i cili po e forcon gjithnjë e më shumë profilin e tij në kinemanë evropiane.

Rëndësia e këtij projekti konfirmohet edhe nga fakti se “Heldin” ishte përzgjedhur si propozimi zyrtar i Zvicrës për “Oscars 2026”, duke e vendosur filmin në një nivel të lartë ndërkombëtar dhe duke e ngritur edhe më tej emrin e Muratit në arenën evropiane të filmit.