Tetova pa park qyteti: Kasami e Rexhepi premtojnë park, shoqëria civile: Pas zgjedhjeve lulëzon betonizimi dhe biznesi

Tetova vazhdon të mos ketë park të qytetit ndonëse shumë herë deri më tani është premtuar dhe janë prezantuar ide të ndryshme. Një nga idetë për park të qytetit e kryetarit aktual të komunës, Bilall Kasamit ishte shndërrimi i Kazermës në park. Së fundmi, edhe kandidati për kryetar të Tetovës nga BDI, Bajram Rexhepi premtoi një gjë të tillë. Megjithatë premtimet e tilla për shoqërinë civile janë boshe, siç thonë, para zgjedhjeve premtohen parqe ndërsa pas zgjedhjeve bëhen biznese, shkruan Portalb.mk. 

Pavarësisht se nuk ka park të qytetit, edhe ata pak parqe të vogla që janë, shpesh nuk mirëmbahen si duhet. 

Para tre viteve, në vitin 2022 u hodhën dy ide për krijimin e parkut të qytetit. 

E para nga nisma “Tetova do Park për parkun në hyrje të qytetit prej 16 hektarësh. 

Ndërsa ideja e dytë u dha nga kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami për shndërrimin e Kazermës së Qytetit në park.

Por, asnjëra nga këto dy ide ende nuk është implementuar në terren. 

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami në pranverë të këtij viti tha se njëra nga këto dy hapsira do të shndërrohet në park, por kjo do të shihet me planin e ri gjeneral urbanistik. 

“Sa u përket të dy lokacioneve, janë çështje që duhet të zgjidhen me plan gjeneral, në bazë të debatit publik që do të jetë në bazë të planit gjeneral, do të përcaktohet se cila nga këto është më e përshtatshme për institucione publike dhe cila për park”, premtoi deklaruar Kasami. 

Ndërkaq me ide dhe premtim për shndërrimin e Kazermës në park të qytetit së fundmi ka dalë edhe kandidati i BDI-së për Tetovën, Bajram Rexhepi.

Ai thotë se një nga projektet kryesore të programit të tyre #PërTetovënERe do të jetë dislokimi i Kazermës së Tetovës dhe transformimi i saj në park qyteti dhe qendër institucionale moderne.

“Sipas standardeve të NATO-s, objekte të tilla ushtarake nuk duhet të jenë pranë zonave të banuara dhe paraqesin rrezik potencial për rrethin. Këtë hapësirë publike prej afër prej mbi 190.000m2 do ta kthejmë në park dhe qendër administrative për qytetin”, premton Rexhepi.

Por këto premtime sipas Darijan Sotirovskit nga nisma Tetova do Park janë vetëm fasadë, ai thotë se para zgjedhjeve, bëhen shumë premtime, tregohet dhembshuri dhe mirëkuptim, por më pas bëhet biznese.

Darijan Sotirovski, Tetova do park
Darijan Sotirovski, Tetova do park

“Kjo është arsyeja pse nisma “Tetova do një park” mbështet zgjidhje të menduara mirë. Ne do t’i paraqesim ato në prag të këtyre zgjedhjeve. Pranimi i tyre është masa jonë, e qytetarëve, e pranueshmërisë së ofertës politike. Në një moment, gota duhet të derdhet dhe ne duhet të themi stop, Tetova nuk do të zhvillohet kurrë si një mjedis modern, human dhe urban. Nevojitet ndryshim rrënjësor”, tha Sotirosvki. 

Ngjashëm mendon edhe Agron Arifi nga nisma Më Mirë për Tetovën. Ai thotë se premtimet për parqe dhe hapsira të gjelbra mbeten vetëm premtime parazgjedhore. 

Agron Arifi (Më Mirë për Tetovën). Foto: Portalb.mk
Agron Arifi (Më Mirë për Tetovën). Foto: Portalb.mk

“Zakonisht kur ata e marrin mandatin katër vjeçar, angazhimi ekologjik është i fundit në listë pasi aty nuk ka përfitime financiare që është synimi kryesor i çdo kryetari të komunës. Jemi dëshmitarë të betonizmit të vazhdueshëm të qytetit dhe çdo hapsire e gjelbër shihet si përfitim potencial nga mafia urbane. Rasti i Monopollit është dëshmi për bashkëpunim të shkëlqyeshëm të mafisë urbane me organet komunale, hapsirë që ishte vend ideal për park që i mungon qytetit”, tha Arifi. 

Në Tetovë periudhën e fundit në Komunën e Tetovës shpërthyen disa ‘krime’ urbanistike, si shitja e ish Monopollit, legalizimi me shumë shkelje i vikend shtëpizës së Faton Murselit në Kodrën e Diellit dhe ndërtimi i ndërtesave me më shumë kate se të planifikuara. Ndërkaq, në disa pjesë të qytetit ka filluar ndërtimi i disa ndërtesave tjera shumë katëshe.

Tetova që nga viti 2003 nuk ka Plan Gjeneral Urbanistik, dhe kjo është ndër arsyet e kaosit urbanistik në qytet. 

Plani Gjeneral Urbanistik i ri për qytetin pritet të miratohet në vitin e ardhshëm 2026, pas zgjedhjeve lokale që do të mbahen në vjeshtë.

Përndryshe, në programin zgjedhor ‘Me ka krejt për Tetovën’ 2021-2025 me të cilin kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami garoi dhe fitoi në zgjedhjet e fundit lokale tetorin e vitit 2021, mes tjerash përmend edhe hapësirat e gjelbra. 

Te pjesa e urbanizmit, konkretisht në faqe 22 thuhet se do të revidohet dhe zgjerohet Plani Urbanistik për të lejuar ndërtimin e komplekseve banesore, apo edhe qendrave biznesore, sipas standardeve ku së paku 1/3 e hapsirës të jetë me pjesë të gjelbëruar dhe me zona rekreacioni.

Ndërkaq në faqe 26 premtohet: Plan afatmesëm për zgjerimin e hapsirave të gjelbërta.

Por, tashmë afër fundit të mandatit, këto pika të programit nuk janë realizuar në terren.