Sulm i armatosur në Moskë: Persona të maskuar kanë gjuajtur në një sallë koncerti, ka të lënduar dhe viktima

Së paku tre persona të maskuar sonte kanë hapur zjarr në një sallë koncerti në “Krokus Siti Holl” në veriperëndim të Moskës, informojnë mediat ruse. Informatat jozyrtare janë të ndryshme dhe lëvizin mes 10 dhe 14 persona, ndërkaq dhjetëra të tjerë janë të lënduar. Ende nuk ka informata zyrtare. Gjuajtja ka ndodhur përpara fillimit të grupit muzikor Piknik, transmeton Portalb.mk.

Në profilin e platformës X të OSINT, thuhet se numri madje është prej 40 deri në 100 të vdekur.

“Autoritet ruse njoftojnë se ka prej 40 deri në 100 raste të vdekjes si rezultat i sulmit terrorist në sallën e koncertit “Krokus” sonte në kryeqytetin Moskë, ndërkaq numri i të vdekurve dhe të lënduarve pritet që të rritet në orët në vazhdim”, shkruan OSINT.

Sipas video-incizimeve të publikuara në rrjetet sociale, personat e armatosur kanë hapur zjarr në hollin e sallës së koncertit dhe para sallës, përpara koncertit. Ata kanë gjuajtur drejt në njerëz të cilët kanë tentuar që të largohen nga ndërtesa nëpërmjet hollit.

Rreth 100 njerëz janë dërguar në bodrumin e “Krokus”, kumtoi Ministria e Gjendjeve të Jashtëzakonshme. Ekipet e shpëtimit po shpëtojnë njerëz nga çatia e ndërtesës duke shfrytëzuar mekanizma për ngritje.

Kryetari i Moskës, Sergej Sobjanin dha urdhër që të sigurohet e gjithë ndihma e nevojshme për të lënduarit. Ai tha se incidenti është tragjedi e tmerrshme.

“Në vendin e ngjarjes janë dërguar më shumë se 30 ekipe rajonale dhe 20 ekipe të ndihmës së shpejtë në Moskë”, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.

The Guardian shkruan se bëhet fjalë për sulm terrorist, të përmasave që Moska nuk i ka parë me vite. Prej atje shtojnë se sulmuesit në sallën e koncertit kanë qenë të veshur me uniforma ushtarake.

Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë zjarr dhe shtëllunga tymi mbi ndërtesën e sulmuar.

RIA-Novosti raportoi se së paku tre persona të armatosur ishin të përfshirë dhe tha se ata duket se kanë hapur zjarr me pushkë automatike.

Interfax raportoi se ishin së paku pesë sulmues.

Salla është një vend i njohur koncertesh, ku mbahen ndër aktivitetet më të njohura ruse.

Ambasada e SHBA-së në Moskë ka bërë thirrje që të shmangen lëvizjet në tubime të mëdha në 48 orët e ardhshme.