Strategjia nacionale për shëndet mendor për të rinjtë do të funksionojë nëse institucionet e kryejnë punën e tyre, thonë Sefadini dhe Shehi nga KRNM

Të rinjtë nuk kanë besim tek institucionet shtetërore sa i përket shëndetit të tyre mendor sepse deri më tani nuk u është ofruar ndihmë nga ato. Institucionet dhe prindërit t’u kushtojnë më shumë vëmendje të rinjve dhe në përmbajtjet që i shohin në internet, për shkak se kjo ndikon negativisht në shëndetin e tyre mendor, kështu shprehen Albina Sefadini dhe Ardit Shehi nga Këshilli Rinor Nacional i RMV-së në një intervistë për Portalb.mk.

Strategjia nacionale për shëndetin mendor për të rinjtë është krijuar nga Këshilli Rinor Nacional i Maqedonisë së Veriut (KRNM) dhe është miratuar nga Qeveria për një periudhë trevjeçare, gjegjësisht që nga viti 2024 deri në vitin 2026. Ajo përmban një plan veprimi me një sërë aktivitetesh për të rinjtë dhe rekomandime për  Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale.

Për të mësuar më shumë për këtë strategji, Portalb.mk bisedoi me koordinatoren  e programit strategjik të Këshillit Rinor Nacional të Maqedonisë së Veriut, Albina Sefadini dhe asistentin e programit, Ardit Shehi.

Portalb: Na tregoni për Këshillin Rinor Nacional, kur është formuar, cili është qëllimi i tij dhe cili është roli juaj në këshill?

 Albina Sefadini: Këshilli Rinor Nacional është formuar më 29 qershor 2012 nga 55 organizata joqeveritare. Ai momentalisht funksionon si një trup përfaqësues i të rinjve në vendin tonë. Llogaritet si një union i shoqatave apo ombrellë e shoqatave. Momentalisht kemi 51 organizata anëtare që funksionojnë në sfera të ndryshme. Kemi organizata joqeveritare, organizata studentore dhe degë të organizatave ndërkombëtare. Misioni i Këshillit Rinor Nacional është që të jetë një urë lidhëse midis të rinjve dhe institucioneve shtetërore, domethënë ti përfaqësojë në mënyrë sa më të denjë interesat dhe nevojat e të rinjve në vend dhe të mundësojë që ato të jenë pjesë aktive në procesin e vendim marrjes në vendin tonë. Këshilli Rinor Nacional është i ndarë në tre trupa, në trupin mbikëqyrës, në trupin drejtues dhe sekretariatin. Sekretariati është i ndarë në dy programe, në programin për qeverisje të mirë dhe programin për zhvillimin strategjik. Unë jam pjesë e programit strategjik dhe jam koordinatore e këtij programi ku merremi me implementimin e projekteve të ndryshme për zhvillimin e Këshillit Rinor Nacional.

Ardit Shehi: Unë jam Ardit Shehi, i punësuar në Këshillin Rinor Nacional të Maqedonisë. Siç tha edhe Albina, Sekretariati është i ndarë në dy programe, unë jam asistent në programin për zhvillim strategjik.

Portalb: Pse vendosët të fokusoheni te shëndeti mendor i të rinjve?

Ardit Shehi: Shëndetin mendor si temë për herë të parë filluam ta punojmë përgjatë pandemisë Kovid 19 në mbështetje të ambasadës britanike. Filluam me përgatitjen për doracakët për stresin, ankthin, depresionin dhe gjithashtu lëshuam thirrje për 100 pjesëmarrës të cilët do të marrin gjashtë seanca falas. Doracakët janë pa dyshim përmbajtja më e lexuar që e ka prodhuar Këshilli Nacional i Maqedonisë, ndërsa brenda pesë ditëve më shumë se 250 të rinj u regjistruan për seancat falas. Kjo na dha një shenjë se stigma midis të rinjve ngadalë po kapërcehet interesi për këtë temë po rritet dhe nevoja në periudhën pas pandemisë për të punuar në këtë temë është me të vërtetë e rëndësishme. Atë periudhë kemi arritur të mbulojmë më shumë se 800 seanca individual me psikolog për rreth 140 të rinj ndërsa pjesën e kemi organizuar në seanca grupore sipas preferencave të tyre.

Portalb: Vërejmë kohëve të fundit që ka shumë agresivitet mes moshatareve madje dhe dalin video nëpër rrjetet sociale, pse ndodh kjo?

Albina Sefadini: Mendoj se agresiviteti tek të rinjtë është shfaqja e asaj se kanë shumë kohë të tepërt të lirë dhe nuk kanë aktivitete të tjera me çka ta mbushin këtë kohë të lirë dhe gjithë ditën rrinë në internet. Këtu unë do i fajësoja edhe pak prindërit të cilët nuk kanë kujdes sesi e shfrytëzojnë kohën e lirë fëmijët e tyre. Mendoj se duhet më shumë t’u kushtojnë kujdes atyre pasi shkaku i mos pasjes së kontrollit nga ana e prindërve vjen edhe tek situata e qasjes shumë të madhe në internet, ku aty normalisht e dimë që nuk ka shumë censurë edhe shohim video  dhe sende të ndryshme agresive ose luajnë lojëra të ndryshme edhe thjeshtë mendoj se momentalisht në ato është promovimi i madh i dhunës në internet dhe mendoj se shkaku i këtyre shembujve që ato shohin çdo ditë në internet mendojnë se duhet ti zhvillojnë edhe në jetën e përditshme në praktikë. Mendoj se shumë shpejt njëri me tjetrin hedhin fjalë edhe tash nuk ka tolerancë nga të dy palët në mes një grupi të të rinjve, askush nuk bën durim edhe nuk ka tolerancë. Thjeshtë mendojnë se duhet menjëherë të reagojnë për të marrë të drejtën e tyre dhe thjeshtë të dalin ato si, e dimë adoleshenca si funksionon se të gjithë duan të dalin të parët dhe ta kenë atë emrin në shkollë, mendoj se këtu normal duhet cenzurë nga të dy palët. Gjithashtu edhe duhet edhe sistemi edukativo arsimor të ketë pak më shumë kujdes. Për shembull telefonat të mos lejohen në shkollë, të kenë kujdestarët e klasave më shumë kujdes se si gjatë pushimeve shfrytëzohet koha e lirë se çka ndodh me të rinjtë, të kenë një kujdes më të detajuar ndaj të rinjve që të shohin , të paktën arsimtarët duhet të hynë më thellë në psikologjinë e fëmijëve se ndoshta ato, thjeshtë prej tyre kanë një sjellje të dhunshme në familje dhe ndoshta nuk kanë mundësi ta shfaqin në familje dhunën ndërsa atë negativitetin e shfaqin në shkollë duke e marrë shembullin e problemit në familje.

Portalb: Cili është qëllimi i strategjisë dhe çka përmban ajo?

Ardit Shehi: Strategjia ka katër qëllime kryesore, qëllimi parë është intervenim i herët i çrregullimeve mendore, qëllimi i dytë është parandalimi dhe trajtimi me substancat, qëllimi i tretë është shëndeti mendor digjital dhe qëllimi i katërt është parandalimi i dhunës. Të gjitha këto kanë edhe programe se si të arrihen ato. Në përmbajtje, thelbi strategjisë është rritja e ndërgjegjësisë për shëndetin mendor, zvogëlimi i stigmës dhe promovimi i edukimit për shëndetin mendor tek të rinjtë, prindërit, stafit arsimor dhe komunitetit më të gjerë.

Portalb: Si erdhi nevoja e krijimit te kësaj strategjie?

Albina Sefadini: Nevoja e krijimit të kësaj strategjie erdhi si pasojë e Kovid 19 dhe aty u shfaq mendoj më shumë u përhap kjo tema e shëndetit mendor dhe u tha se ka nevojë që të diskutohet më shumë. Prej këtu nga informata që morëm nga të rinjtë zbuluam se me të vërtetë ka nevojë që të flitet kjo temë. Deshëm që këtë temë  ta dërgojmë në një level më të lartë, në institucionet shtetërore dhe të bëjmë dokumente që do të vlejnë dhe do implementohen si për shembull siç është Strategjia Nacionale. I hymë më thellë, analizës dhe pamë se në Maqedoni ekzistojnë ligje për shëndetin mendor. Ligji për shëndet mendor është miratuar në vitin 2005 ndërsa ka pasur ndryshime 2006 dhe 2015. Ky ligj nuk merret tërësisht me nevojën e të rinjve ose çka kanë ato momentalisht nevojë për shëndetin mendor, por merret me atë thelbin të atyre pacientëve që veçse kanë një diagnozë të caktuar nga mjeku dhe marrin terapia të ndryshme. Gjithashtu ekziston edhe Strategjia Nacionale për Promovimin e Shëndetit Mendor që është bërë për vitin 2018-2025 dhe  kjo sugjeron që të mos merremi me thelbin e spitaleve psikiatrike, por sugjeron që të merremi me terapi të ndryshme, me terapi në grup, terapi individuale dhe forma të ndryshme të shëndetit mendor ose qasjes ndaj tij. Por, përsëri tek të rinjtë nuk është fokusi shumë i madh. Nga kjo filloi edhe thjeshtë ideja që ne së bashku me Këshillin Bashkëpunues Rajonal të ndërmarrin një iniciativë për krijimin e një dokumenti të tillë, që më pas ta propozojmë edhe tek institucionet shtetërore. Në strategji ka marrë pjesë një hulumtim tjetër që është bërë gjatë pandemisë nga Fakulteti Filozofik , ku të dhënat janë alarmante dhe përmes të bashkëpunimit të institucioneve dhe mbështetjes së Regional Cooperation Council, ne vendosëm që ta dërgojmë më tej këtë strategji dhe të nisim zhvillimin e saj, me të gjithë rekomandimet, strategjitë apo analizat e nevojshme. Prandaj, deri më sot erdhëm tek kjo strategji, e cila u miratua edhe në janar të këtij viti nga Qeveria dhe jemi shumë të kënaqur. Tani detyra jonë tjetër është që të vazhdojmë krijimin e një plani aksionar të zhvillimit dhe implementimit të aktiviteteve që përfshin kjo strategji.

Portalb: Hulumtimi juan tregon që të rinjtë nuk kalojnë kohë të mjaftueshme me prindërit e tyre, një e treta e tyre nuk kanë me kë të bisedojnë për problemet e tyre. Sa është kjo shqetësuese dhe si mund të eliminohet problemi?

Albina Sefadini: Mendoj se është shumë shqetësuese dhe jeta është bërë shumë dinamike kohët e fundit, ku askush nuk ka kohë për tjetrin apo nuk mund të bëjë kohë për tjetrin se normal, gjithkush kur do mund të gjejë kohë dhe gjithashtu nga puna dhe thjeshtë nevojat financiare ekonomike që kanë çdo familje, prindërit nuk u kushtojnë kujdes të mjaftueshëm fëmijëve të tyre dhe nuk shohin ku kanë ato probleme. Pse ndjehen të vetmuar, pse e kalojnë kohën në internet, ku gjejnë më shumë nevojë për tu mbështetur edhe mendoj se shkaku i kësaj fëmijët nuk janë shumë të hapur me prindërit, se prindërit shkojnë në punë dhe kur kthehen nga puna thjeshtë janë të lodhur dhe duhet të merren me obligimet tjera që kanë dhe nuk kanë aq shumë kohë të fokusohen tek të rinjtë dhe të shohin se ku kanë ato mangësi dhe çfarë i mundon ata. Për shembull, sa e dimë në adoleshencë të rinjtë kanë probleme familjare, probleme me mësime, nuk mund ta gjejnë veten në shkollë, ndoshta ndjehen të bullizuar ose ato momentet e dashurisë që i kanë në atë moshë dhe prandaj mendoj se prindërit duhet të bëjnë një hap më të shumtë që të kenë një qasje më shoqërore me fëmijët e tyre. T’i kuptojnë pak më shumë edhe t’u kushtojnë kujdes që ato të ndjehen sa më të hapur dhe normal problemin fillestar t’ia tregojnë familjes dhe pastaj dikujt tjetri.

Portalb: Institucionet shtetërore rrallë perceptohen si një vend ku të rinjtë drejtohen për ndihmë, pse ndodh kjo?

Ardit Shehi: Kjo ndodh për atë se të rinjtë kanë besueshmëri të vogël në institucionet që merren me shëndetin mendor. Kanë besim të vogël për shkak se çdo herë që kanë kërkuar ndihmë praktika tregon se atë ndihmë nuk e kanë marrë dhe nuk kanë ndihmë faktike nga institucionet, por miratimi i kësaj Strategjie nga Qeveria është një hap i mirë dhe shpresojmë se nëse zbatohet e gjitha strategji atëherë situate do të ketë një përmirësim të madh.

Portalb: Çfarë mund të na thoni për shëndetin mendor digjital që e keni përmendur në Strategji?

Albina Sefadini: Shëndeti mendor digjital ka ardhur si pjesë e hulumtimit që kemi bërë ne, ku disa nga faktet që janë në analizë tregojnë se 89 përqind të të rinjve kanë qasje në internet. Gjithsej 62 përqind janë të ekspozuar ndaj disa rreziqeve që mund të shfaqen në internet, 37 përfqind të të rinjve përjetuan dhunë digjitale gjatë qasjes në internet. Disa prej tyre apo 22 përqind të tyre kanë parë nga bashkëmoshatarët se vuajnë nga dhuna në internet. Ndërsa diçka që ne e parashtruam si pyetje është se çka bëjnë ata kur ndodh kjo dhunë në internet, si është qasja e tyre. 15 përqind e tyre na thanë se bisedojnë me një mik, 22 përqind na thanë se drejtohen tek prindërit për bisedë gjatë dhunës në internet, shumë pak 11 përqind vetëm i drejtohen shkollës, mësimdhënësit, psikologut ose dikut tjetër, 4 përqind nuk bëjnë asgjë send, 2 përqind të tyre përpiqen të flasin me personin që ua ka shkaktuar këtë dhunë digjitale nëse mund ta gjejnë normal dhe tre përqind të tyre përpiqen të ja kthejnë me të njëjtën monedhë, dhunën në të njëjtën formë ose atij personi që ia ka shkaktuar ose dikujt tjetër. Gjatë shqyrtimit të këtyre rezultateve ne erdhëm në përfundim se duhet që të shihet pak më thellë edhe ndikimi ose mjedisi familja, mjedisi shoqëror ose komuniteti në të cilën jetojnë këta të rinj  që janë pjesë e kësaj dhune dhe do ta shohim atmosferën, mbështetjen, ngrohtësinë familjare që kanë. Dhe se si ata pastaj reagojnë, domethënë gjithë kjo mjedisi ndikon në mënyrë indirekte në psikologjinë e tyre dhe vjen që ato të kenë ankth, të kenë dhunë digjitale. Unë mendoj se ditët e sotit, të rinjtë shumë më lirë shprehen në internet, si persona pa fytyrë dhe pa figurë, domethënë pa emër, pa mbiemër, sesa kur janë ballë për ballë. Këtë të dhëna u paraqitën gjatë pandemisë ku shumica  tyre, vuanin nga ankthi, nga depresioni, nga mos komunikimi me dikë, nga mospasja e një fytyre ose një figure ku ato mund të mbështeteshin dhe të tregonin për problemet e tyre se çfarë i mundon, si ta zgjidhin atë problem edhe më detalisht  ta nxjerrin atë çka kanë përbrenda për të pasur pastaj normal një psikologji më të shëndoshë.

Portalb: Propozohet trajnimi i punonjësve shëndetësorë, si mund të bëhet kjo?

Ardit Shehi: Një trajnim i tillë, duhet të bëhet nga ministria përkatëse, përkatësisht nga ministria e shëndetësisë me mbështetjen e të gjithave sektorëve nga sektori i shëndetësisë. Trajnimet duhet të përfshinë sensibilizimin e punonjësve shëndetësorë ndaj sfidave të kohës moderne, dhe gjeneratave të reja të të rinjve. Por, edhe sinkronizimin me qasjet moderne në mjekësi dhe mënyrat e reja të të kuptuarit të shëndetit mendor.

Portalb: Strategjia përmban edhe një sërë rekomandimesh për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, si dhe për organizatat rinore. Na numëroni disa nga to për çdo institucion?

Albina Sefadini: Që kjo strategji të funksionojë, kemi nevojë që edhe institucionet të bëjnë punën e tyre. Disa nga institucionet kyçe të kësaj strategjie janë Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale. Si një ndër rekomandimet është organizimi i arsimit gjithëpërfshirës për shëndet mendor në programet arsimore, ku normal të kenë ndonjë lëndë për stresin, duke mbuluar tema si stresi, menaxhimi i emocioneve të brendshme dhe tema të tjera për shëndetin mendor dhe si ata kërkojnë ndihmë kur kanë problem në këtë aspekt. Një tjetër rekomandim është ofrimi i mundësive të personalit të edukativo arsimor që ato të zhvillohen dhe të trajnohen se si të reagojnë ndaj fëmijëve dhe si t’i dallojnë kur ata kanë probleme të shëndetit mendor. Te Ministria e Shëndetësisë kemi si rekomandim rritjen e burimeve të shëndetit mendor të të rinjve, të kemi qendra të specializuara në çdo vend dhe të mund të jenë sa më të qasshme për të rinjtë.  Një rekomandim tjetër është trajnimi i rregullt për profesionistët shëndetësor përshirë ofruesit e mbrojtjes shëndetësore parësore për  identifikimin dhe vlerësimin dhe menaxhimin me problemet të shëndetit mendor. Për Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, rekomandimi është zhvillimi dhe zbatimi i programeve që adresojnë nevojat e shëndetit mendor të popullsisë së re, të cenueshme si ato në familjet e përkujdesjes, institucionet ndëshkuese për të rinjtë apo për ato që përballen me probleme të ndryshme. Promovimi i politikave mbështetëse dhe gjithë përfshirëse  në vendet e punës duke përfshirë trajnim për aftësi sociale, trajnim për ndërgjegjësim për shëndetin mendor për punëdhënësit dhe programet për ndihmë për të punësuarit. Ndërsa, për organizatat rinore, si rekomandime kemi bashkëpunimin me institucionit qeveritare, ofruesit e kujdesit shëndetësor dhe institucionet arsimore për të rritur ndërgjegjësimin për shëndetin mendor të të rinjve dhe për të krijuar dhe zbatuar politika dhe shërbime efektive. Një tjetër rekomandim, është krijimi i programeve për mbështetjen e bashkëmoshatarëve, punëtori dhe aktivitete për të promovuar shëndetin pozitiv, qëndrueshmëri psikologjike dhe përmirësimin të aftësive sociale të të rinjve. Mendoj se normal nga këto rekomandime ka edhe shumë rekomandime të tjera që duhet të merren parasysh, kjo do të ndodh kur edhe do të krijohet plani aksionar që çdo institucion do të ndajë buxhet të vetin për ti zhvilluar këto aktivitete që do kemi gjatë këtyre tre viteve, 2024-2026. Mendoj se atëherë shumë më shumë do të shihet se sa do të implementohen. Kjo është një hap fillestar që ne kemi ndërmarrë, krijimi i Strategjisë. Tash vjen ai hapi më i rëndësishëm, domethënë krijimi i planit të aksionit dhe pastaj duhet edhe si ta zhvillojmë dhe si t’i implementojmë dhe në fund monitorimi i këtyre aktiviteteve.

LEXO: Strategjia për shëndetin mendor për të rinjtë: Më së shumti i tremben vetmisë, refuzimit dhe izolimit nga miqtë