Spanja iu bashkua padisë për gjenocid kundër Izraelit

Spanja iu bashkangjit padisë të ngritur nga Afrika e Jugut kundër Izraelit, për rikthimin e paqes në Gaza dhe Lindjen e Mesme. Ky vendim sipas ministrit të punëve të jashtme, Jose Manuel Albares, ka për qëllim zbatimin e zgjidhjes mes Izraelit dhe Palestinës, ngase lufta nuk bën dallim mes civilëve dhe forcave ushtarake, shkruan Deutsche Welle.

Spanja është vendi i parë i BE-së që bëri kërkesë t’iu bashkuar padisë për gjenocid të Afrikës së Jugut kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND).

Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Jashtme e Spanjës dhe Gjykata e Drejtësisë. Ministria e Jashtme e Spanjës njoftoi se pas njohjes së Palestinës si shtet sovran me këtë hap Spanja dëshiron të kontribuojë për rikthimin e paqes në Rripin e Gazës dhe në Lindjen e Mesme.

Zgjidhja me dy shtete

“Qëllimi është t’i jepet fund luftës dhe që të shtyhet përpara zbatimi i zgjidhjes me dy shtete, e cila është e vetmja garanci që palestinezët dhe izraelitët të mund të jetojnë së bashku në paqe dhe siguri”, thekson Ministria e Jashtme në Madrid.

Ministri i Jashtëm i Spanjës, José Manuel Albares, kishte njoftuar për këtë hap që në fillim të qershorit. Sipas tij kemi të bëjmë me një “luftë në shkallë të gjerë, e cila nuk bën dallim midis objektivave civile dhe ushtarake”, tha Albares. “Rreziku i përshkallëzimit rritet çdo herë,” paralajmëroi ai.