Sot ul siparin edicioni i 38-të i Panairit të Librit në Shkup, një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore në vend
Sot ul siparin edicioni i 38-të i Panairit të Librit në Shkup, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në vend, që edhe këtë vit bashkoi botues, autorë, nxënës, studentë, prindër dhe dashamirë të librit, shkruan Portalb.mk.
Për disa ditë me radhë, panairi u shndërrua në adresën kryesore të lexuesve. Mbi 65 shtëpi botuese nga vendi dhe rajoni sollën tituj të rinj, oferta të pasura, promovime, aktivitete dhe botime për të gjitha moshat. Nga librat për fëmijë e deri te literatura për të rritur, nga lektyrat shkollore e deri te botimet edukative, panairi dëshmoi se interesi për librin ende ekziston.
Por përtej atmosferës festive, mesazhi ishte i qartë: libri nuk duhet të kujtohet vetëm gjatë panairit. Ai duhet të kthehet në shprehi të përditshme, sidomos te fëmijët dhe të rinjtë.
Vizitorë të shumtë, në veçanti nxënës nga shkollat publike të Shkupit, Tetovës, Ohrit, Strugës dhe Prespës, vizituan stendat e botuesve, duke u njohur nga afër me botimet më të reja. Prania e tyre ishte një nga pamjet më domethënëse të këtij edicioni, sepse aty ku fëmijët afrohen me librin, shoqëria fiton të ardhme.
Panairi i Librit u mbyll, por pyetja mbetet e hapur: sa lexojmë kur dritat e panairit fiken?
Në kohën kur telefonat, rrjetet sociale dhe përmbajtjet e shpejta po e marrin gjithnjë e më shumë vëmendjen e fëmijëve dhe të rinjve, libri mbetet një prej armëve më të forta kundër sipërfaqësisë, padijes dhe varfërisë kulturore. Prandaj, përgjegjësia nuk është vetëm e botuesve. Është edhe e shkollave, prindërve, institucioneve dhe gjithë shoqërisë.
Ky edicion i Panairit të Librit në Shkup tregoi se kur libri ofrohet afër lexuesit, interesi nuk mungon. Por ai tregoi edhe një të vërtetë tjetër: kultura e leximit nuk ndërtohet me një ngjarje disa ditore, por me punë të përditshme, me mbështetje konkrete dhe me dashuri të vazhdueshme për librin.
Panairi u mbyll, librat u kthyen në rafte, por mesazhi mbetet: kush hap një libër, hap një dritare drejt botëve të reja.