Sonte në Shkup shfaqet premiera e filmit “Antigona”, një dokumentar që flet me shpirt

Sonte më (22 gusht), me fillim nga ora 20:30, në Kurshumli An (Çarshia e Vjetër), në kuadër të festivalit MakeDox, jepet premiera e dokumentarit “Antigona”, nën regji të Ibër Dearit dhe Mirsad Abazit, shkruan Portalb.mk.

“Antigona” sjell portretin e vetmes grua shofere në komunën e Likovës një heroinë moderne që përmes drejtimit të furgonit, lidh 11 fshatra me njëri-tjetrin. Një histori e thjeshtë, por jashtëzakonisht e fuqishme për forcën, durimin dhe rolin e grave në komunitetet rurale, duke e lënë fuqinë dhe përkushtimin e tyre jashtë vëmendjes publike. Por, “Antigona” është pikërisht për këtë për ta vendosur në qendër një jetë që zakonisht mbetet në hije.

Dokumentari nuk ofron vetëm një vështrim emocional mbi sfidat e përditshme të një gruaje që ka zgjedhur një profesion jo të zakonshëm për gratë në atë mjedis e me gjërë. Ai shëndrrohet në një pasqyrë të qartë të strukturave gjinore, pritshmërive kulturore dhe mënyrave se si gratë arrijnë të lëvizin përtej kufijve të pashkruar të normave shoqërore.

Historia e Antigonës si shofere e vetme e rrethit të Likovës ishte pjesë e festivalit më prestigjioz të dokumentarit në botë festivalit Sheffield DocFest, Dokufest, një prej festivaleve më të dashura të filmave dokumentar që mbahet çdo vit në Prizren.

Rikujtojmë që, “Antigona” nuk është vetëm një dokumentar. Është një ftesë për reflektim. Për të parë me kujdes dhe respekt rolin e grave në komunitetet tona, për të kuptuar se ndonjëherë ndryshimi nuk vjen me bujë, por me motorin e një furgoni që çdo mëngjes nis rrugëtimin për të bashkuar njerëz.

Filmi është përkrahur nga North Macedonia Film Agency, realizuar nga produksioni filmit LLumière Shkup me producent Avdi Thaçi.