Shtjellohen 41.000 fjalë të reja shqipe në fjalorin e gjuhëtarit Mehmet Elezi

Sapo ka dalë prej shtypit botimi i pestë i Fjalorit të Gjuhës Shqipe, me 41.000 fjalë, që nuk gjinden në fjalorët e akademisë dhe me shtjellime etimologjike. Gjuhëtari Mehmet Elezi është një punëtor i palodhur i cili ka hulumtuar edhe fjalët e rralla që kanë përdorur disa shkrimtarë. Për lexuesit e Portalb.mk që duan të kuptojnë më shumë rreth këtij fjalori sjellim bisedën në vazhdim.

Kopertina e fjalorit
Kopertina e fjalorit

Të shumtë janë gjuhëtarët që kanë kërkuar reformimin e shqipes. Në mesin e këtyre reforma ka të atillë që thonë se duhet të merret për bazë toskërishtja , disa që janë besnikë të standardit dhe të tjerë që mendojnë se përpiluesi i këtij fjalori z. Elezi i cili i vetëm bën punën e një akademie. “Standardi i gjuhës shqipe duhet të reformohet pa prekur bazën e toskërishtes nga dijetarë të mençur që u rreh zemra shqip” kjo është kërkesa e gjuhëtarit Mehmet Elezi i cili shprehet se standardi gjuhësor i shqipes njërit dialekt i ka hyrë në hak.

Elezi sjell në vëmendje historinë e dhimbshme të gjuhës latine, ku ajo zyrtare u shkëput nga ajo e folura.

“Ka një përvojë historike të dhimbshme me latinishten, nëse e shohim si pasqyrë të mundshme të zhvillimeve në vendin tonë. Latinishtja zyrtare u shkëput nga ajo e folura popullore dhe kjo mbeti gjuhë e vdekur me të vdekurit dhe kjo është vetëm në libra, ndërsa nga latinishtja popullore u krijuan disa gjuhë, si italishtja, frëngjishtja, spanjishtja, rumanishtja. Është rreziku në një të ardhme, jo të shkurtër, që të krijohet shkëputje dhe standardi të mbetet një gjuhë e ftohtë, e largët dhe kombi shqiptar të vuajë një përçarje gjuhësore, rrëmujë në mungesë të një standardi të mirëfilltë”.

Sa keni punuar për këtë Fjalor?  

Mehmet Elezi: Tetë vjet të plota, 1997 – 2005. Po të kisha vijuar edhe tetë vjet të tjera, do të kish dalë të paktën dy herë më i madh, domethënë me 80.000 ose më shumë fjalë. Kaq të shumta janë pasuritë leksikore të shpërfillura të gjuhës shqipe.

Në keni pasur ndihmë?

Mehmet Elezi: Jo. As nga institucionet e shtetit, as nga institucionet akademike. Nuk kam shfrytëzuar as edhe një skedë nga Instituti i Gjuhësisë. Ka qenë familja ime dhe ndonjë mik që më kanë trimëruar e mbështetur deri në fund.

Cilat janë të rejat në këtë fjalor?

  1. E. – Botimi i parë i Fjalorit është i vitit 2006. Krahasuar me Fjalorët e Akademisë së Shkencave, gjithçka në të ka qenë e re. Rreth 41.000 fjalë dhe rreth 54.000 kuptime që gjinden në të nuk i gjeje në asnjë fjalor të Akademisë. 

Po veçantitë?  

Mehmet Elezi: Kryesoret janë dy:

– Fjalori jep shkurt edhe etimologjinë (prejardhjen e fjalëve) dhe herë pas here bën shtjellime etimologjike. Etimologjinë nuk e gjen në asnjë fjalor të Akademisë;

– shpjegimin e fjalëve nuk e bën “në të thatë”, siç ndodh në fjalorët e Akademisë. Shpjegimet ilustrohen me fjalë e shprehje frazeologjike nga veprat e mbi 40 autorëve, që nga Gj. Fishta, A. Pashku. K. Mehmeti deri te I. Kadare; nga Kanuni i Lekë Dukagjnit, Visaret e Kombit e thesare popullore të tjera. Ilustrohen gjithashtu me mijëra fjalë të urta, me qindra gjëza, doke, urime, mallkime, paragjykime, besëtytni, yshtje, lojë fjalësh, etj.

Kopertina e fjalorit
Kopertina e fjalorit

 Nga cilat dialekte, nëndialekte, hapësira janë përfshirë fjalë?

Mehmet Elezi: Janë nga dy dialektet kryesore, por kryesisht nga gegnishtja. Sepse fjalësi i gegnishtes ka qenë shpërfillur nëpër fjalorët zyrtarë të deriatëhershëm. Mija fjalë të burimit indoevropian të shqipes ose me brumë të mirëfilltë të shqipes, të dialektit gegë, kanë qenë përjashtuar. Fjalorët ishin hartuar mbi kritere oruelliane, bolshevike e lokaliste. Praktikisht gjuhës i qe dhënë karakter politik, duke e tejkaluar edhe Stalinin.

Fjalët e këtij Fjalori përdoren kryesisht në vise veriore të Republikës së Shqipërisë, në Kosovë, përfshi Kosovën Lindore, në trevat shqiptare të Maqedonisë së Veriut e të Malit të Zi. Por ka edhe nga Jugu i Shqipërisë.

Thoni që keni nxjerr dhe fjalë që kanë përdorur shkrimtarët?

Mehmet Elezi: Po, një pjesë e mirë janë nxjerrë nga veprat e autorëve shqiptarë të traditës ose bashkëkohorë.