Shkup, një grua ka shkaktuar zjarr për ta mbuluar vrasjen mizore të kryer nga djali i saj

Prokuroria Themelore Publike e Shkupit duke vepruar ndaj padisë penale në lidhje me ngjarjen e 22 shtatorit kur pas shpërthimit të zjarrit në një banesë në rrugën “Isaija Maxhovski” në Shkup, është gjetur një trup i pajetë i një 36-vjeparit, pronar i banesës, me gjurmë të dhunës, informojnë nga Prokuroria, transmeton Portalb.mk.

“Provat e siguruara deri në këtë moment japin dyshim të bazuar për një të dyshuar si kryerës i veprës penale vrasje në mënyrë mizore. I dyshuari e ka kryer veprën pas një mosmarrëveshje të shkurtër me viktimën, duke e privuar nga jeta të dëmtuarin me më shumë se 45 plagë me thikë në qafë dhe trup”, kumtojnë nga Prokuroria.

Siç shtohet në kumtesë, i dyshuari për vrasjen disa herë është lajmëruar te nëna e tij, e cila ka marrë një shishe të plastikës dhe ka shkuar deri te pompa e benzinës dhe në bashkëkryerje me djalin e saj kanë shkaktuar zjarr me qëllim që t’i mbulojnë gjurmët për kryerjen e vrasjes mizore.

“Me zjarrin e shkaktuar, ata kanë shkaktuar rrezik të madh ndaj jetës dhe trupit të banorëve që jetojnë në ndërtesë”, thonë nga Prokuroria.

Kundër të dyshuarit i cili është ende i pakapshëm për organet e përndjekjes do të ngritët hetim për veprën penale “Vrasje” sipas nenit 123 paragrafi 2, pika 1 dhe për “Vepra të rënda kundër sigurisë” nga neni 292 paragrafi 1 në lidhje me nenin 288 paragrafi 1 nga kodi Penal. Prokuroria, për të njëjtin ka propozuar masë paraburgimi, si masë për sigurimin e tij pas gjetjes dhe privimit nga liria.

“Për nënën e tij 59-vjeçare, si bashkëkryerëse, është ngritur hetim për “Vepra kundër sigurisë së përgjithshme” nga neni 292 paragrafi 1 në lidhje me nenin 288 paragrafi 1 nga Kodi Penal.

“Ajo është privuar nga liria dhe pas propozimit të prokurorit publik, i është caktuar paraburgim në kohëzgjatje prej 30 ditësh, pasi që ekzistojnë rrethanat për rrezik nga arratisja, mundësi që t’i fsheh ose shkatërrojë gjurmët nga vepra dhe të ndikojë ndaj dëshmitarëve”, thonë nga Prokuroria.

Për rastin në fjalë, sot informoi edhe MPB, e cila njoftoi se inicialet e të dyshuarve janë A.D. (personi që dyshohet ta ketë kryer vrasjen) dhe nëna e tij I.C.

Në ndërkohë, Policia informoi se e ka arrestuar edhe të dyshuarin për vrasje.