Shkarkimet e shqiptarëve nga puna, përplasje midis BDi-së dhe kabinetit të Stoillkoviqit
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar duke thënë se vendimi i fundit i Ministrit Stoilkoviq për largimin nga puna të pesë punonjësve shqiptarë në Ministrinë për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive ngre shqetësime serioze për mënyrën se si po administrohen institucionet publike dhe për standardet e sundimit të ligjit në vend. Nga kabineti i Ivan Stoillkoviqit thonë se shkarkimet nuk janë diskriminuese, por rezultat i shkeljes së disiplinës së punës, transmeton Portalb.mk.
Nga BDI thonë se faktet flasin për elemente të qarta të një procesi të kontestueshëm, si në aspektin procedural ashtu edhe në atë material.
“Sipas të dhënave të paraqitura: Procedura disiplinore është zhvilluar jashtë afateve ligjore, duke e bërë atë juridikisht të pavlefshme. Vendimi është marrë pa prova të mjaftueshme dhe pa përcaktim të përgjegjësisë individuale. Ka indikacione serioze për ndërtim të mëvonshëm të argumenteve dhe justifikimeve për një vendim tashmë të marrë. Masa e shqiptuar, ndërprerja e marrëdhënies së punës është joproporcionale në raport me pretendimet”, thanë nga BDI.
Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive i vlerëson si të pabazuara akuzat e paraqitura nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), sipas të cilave pesë punonjës shqiptarë në ministri janë larguar nga puna dhe se vendimi është marrë përmes një “procesi të kontestueshëm”, si në aspekt procedural ashtu edhe material.
“Përpjekja që kjo procedurë të paraqitet si çështje ndëretnike apo politike është plotësisht e pabazuar dhe përbën tentativë për manipulim të rëndë të opinionit publik, gjë që nuk kontribuon në mbrojtjen e marrëdhënieve ndëretnike, por përkundrazi krijon tensione të panevojshme dhe dëmton besimin në institucionet”, thanë nga Kabineti i zëvendëskryeministrit dhe ministrit për marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Ivan Stoillkoviq.
Që nga dita e parë e formimit të Qeverisë aktuale dhe marrja e këtij dikasteri nga Stoilkoviqi, punonjësit shqiptarë flasin për “të zitë e ullirit”: izolim në një kat të vetëm të ministrisë, mungesë totale e kushteve bazë, si dhe presion psikologjik dhe frikë nga largimet selektive.