SHKA “Shqiponja” në Shkup shënon një dekadë përmes “10 Vjet Kulturë në Krahët e Shqipes”

Shoqëria Kulturore Artistike “Shqiponja” nga Saraji i Shkupit nesër e enjte (19 dhjetor ) në Sallën e Teatrit Popullor Maqedonas me fillim nga ora 19:00 organizon koncertin jubilar për 10-vjetorin e themelimit, titulluar “10 Vjet Kulturë në Krahët e Shqipes”, transmeton Portalb.mk.

Në kuadër të këtij dhjetë vjeçari “Shqiponja” ka qenë pjesëmarrëse në mbi 500 aktivitete kulturore si ato në vend dhe jashtë vendit.

Kryetari i SHKA “Shqiponja” Fevzi Ebipi për Portalb.mk tha se janë të kënaqur me arritjet e shoqërisë në këtë vit jubilar.

“SHKA“Shqiponja” po shënon 10-vjetorin e saj jubilar, krenare dhe ballëhapur për arritjet e saja duke e rrumbullakësuar këtë dekadë në mënyrë edhe më të organizuar dhe kompakte, duke e zgjeruar horizontin e promovimit të vlerave kulturore dhe artistike të shqiptarëve të R.M.V. duke u bërë ballë të gjitha sfidave dhe barrierave të realizojë misionin dhe vizionin e saj fisnik kombëtar dhe kulturorë në vijim”, tha Ebibi.

Përveç koncertit jubilar, do të shfaqet edhe dokumentari: “10 Vjet Kulturë në Krahët e Shqipes”.

Hyrja është falas.