Shfaqja “Monologjet e vrara” solli fjalët dhe dhimbjet e pathëna të grave viktima të dhunës në familje
Në ambientet e KultPlus Caffe Gallery në Prishtinë, para disa ditëve u dha premiera e shfaqjes “Monologjet e vrara” me autore Qëndresa Loki, nën regji të Xhemail Avdylit. “Monologjet e vrara” erdhi si protestë artistike, ndërgjegjësim dhe homazh ndaj të gjitha grave të cilat janë dhunuar, keqtrajtuar, e vrarë nga familja, bashkëshortët dhe individë të caktuar, duke zgjuar te publiku emocione të thella mbi atë se çfarë mund të kenë përjetuar këto gra, njofton Portalb.mk.
Kjo këtë shfaqje artistike trajtonin dhimbjen fizike dhe shpirtërore të viktimave, që fjalë për fjalë shprehnin vraga të thella të vetë qenies së tyre. Përmes tre monologëve është shfaqur historia tragjike e shumë grave të cilat janë përdhunuar dhe vrarë nga burrat, individë të ndryshëm ose familjarë, duke mos kursyer as gratë shtatzëna dhe as vajza të mitura. Arsyeja e trajtimit të këtyre temave në këtë performancë ka të bëj me përmasat dhe aktualitetin e tyre në shoqëri.
Qëndresa Loki e cila ka qenë edhe tekst shkruese e monologjeve për Portalb.mk tha se nuk ka qenë aspak e lehtë për të krijuar tekste me një tematikë të tillë.
“Edhe vetë teksti në disa raste thotë që “NUK ËSHTË E LEHTË”, vërtetë nuk është e lehtë as për të punuar performanca të tilla, as për të shkruar tekste për performanca të tilla, e lëre më për gra të cilat kanë përjetuar dhimbje të tilla, Nuk është e lehtë! Pjesa ime shpërfaq një grua e cila dhunohet nga dy persona, nga e cila dhunë ajo e gjen edhe vdekjen”, tha Loki.
Loki më tej ka thënë se çdo lloj dhune e përjetuar të mos heshtet, por të adresohet dhe të trajtohet nga organet kompetente me urgjencë në mënyrë që të parandalohet hovi i ngjarjeve të tilla të kobshme.
“Çdo fjalë e çdo gruaje që përjeton qoftë dhunë fizike, psikike apo çfarëdo lloj dhune që ajo e përjeton, dhe në qoftë se vetëm një individi ajo ia tregon atë lloj dhune të cilën e përjeton, e lus atë individ kushdo qoftë ai ta flasë me dikë tjetër. Ta drejtojë problemin diku tjetër që ky problem të mos haset në vesh të shurdhër, por të parandalohet dhuna dhe secila vrasje e secilës grua që po ndodh në vendin tonë”, ka thënë Loki.
E pyetur se kur do të prezantohet kjo shfaqje edhe në Shkup, Loki u tha se sapo të ju jepet mundësia.
“Në Shkup do të vijmë në momentin e parë që të na jepet mundësia, thirrja e performancës i drejtohet çdo familje, shoqërie, individi, dhe jemi të hapur si ekip që edhe në Shkup të prezantohemi në momentin që na bëhet ftesa nga ndonjë Institucion”, tha Loki.
E gjithë performanca është e koncentruar në monologje të grave të cilat më nuk jetojnë.
“Edhe vetë teksti në disa raste thotë që “NUK ËSHTË E LEHTË”, vërtetë nuk është e lehtë as për të punuar performanca të tilla, as për të shkruar tekste për performanca të tilla, e lëre më për gra të cilat kanë përjetuar dhimbje të tilla”, thotë autorja dhe aktorja e kësaj performance, Qendresa Loki.
Performanca zgjati rreth 40 minuta, dhe është kombinim i lojës së aktoreve të xhiruara në lokacione të ndryshme, i monologjeve të tyre, si dhe i lojës së këtyre aktoreve të cilat performojnë live derisa pamjet vuizuale shfaqen në sfond të tyre.
Në shfaqjen “Monologjet e vrara” luajtën aktoret Anisa Ismaili, Rajmonda Ahmetaj dhe Qendresa Loki, ishte një performancë e kombinuar me pamje vizuele në sfond dhe lojë teatrore, e strukturtuar në formë të monologjeve.