SHBA në rrezik nga tarifat e Trump, shefi i “Federal Reserve” ngre alarmin

Presidenti i Federal Reserve, Jerome Powell ka bërë një paralajmërim të fortë mbi pasojat e mundshme të tarifave të Trump mbi produktet e importuara, shkruan Euronews.al. 

“Niveli i rritjes së tarifave të njoftuara deri më tani është shumë më i madh se parashikimet dhe pasiguria e shkaktuar nga këto tarifa mund të shkaktojë dëme ekonomike afatgjata”, ka deklaruar Powell.

Sipas tij, me tarifat e Trump, të cilat po e çojnë ekonominë drejt një rritjeje më të dobët, një papunësie më të lartë dhe një inflacioni më të shpejtë në të njëjtën kohë, banka qendrore amerikane ndodhet në një situatë që nuk verifikohej prej gjysmë shekulli.

“Mund të gjendemi në një skenar ku objektivat tanë të vihen në dyshim, pasi bëhet fjalë për ndryshime politike shumë radikale dhe nuk ekziston një eksperiencë moderne që të sugjerojë se si të përballemi me këtë argument”, ka thënë Powell.

Deklarata e shefit të Federal Reserve ka pasur efekt të menjëhershëm në bursa, të cilat kanë rënë ndjeshëm, me Dow Jones për shembull që ra me 700 pikë, barabar me 1.7 për qind. Edhe treguesi i “S and P” ra me 2.5 për qind, ndërsa ai i Nasdaq me 3.5.

“Banka ka për detyrë promovimin e punësimit dhe mbajtjen nën kontroll të inflacionit, por tarifat e Trump kërcënojnë të dy këta objektiva. Sidoqoftë, për momentin ekonomia amerikane mbetet në gjendje të mirë”, ka shtuar Powell.