Scholz: NATO-ja, përmes KFOR-it, garanton sigurinë në Kosovë

Kancelari i Gjermanisë është në mesin e tre liderëve të shteteve kryesore të Bashkimit Evropian që Kosovës i ka kërkuar themelimin pa vonesë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbisë njohjen de-facto të Kosovës. Të enjten, Scholz ka folur edhe për sigurinë në veri, tek ka thënë se NATO-ja, nëpërmjet misionit të saj KFOR, është garantuese e sigurisë në Kosovë, raporton Koha.

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka theksuar rëndësinë e pranisë së NATO-s në Ballkanin Perëndimor, duke e përmendur rolin e KFOR-it pas tensioneve të fundit në Kosovë.

Në një konferencë për media në Berlin, të mbajtur bashkë me sekretarin e përgjithshëm të NATO-së, Jens Stoltenberg, kancelari Scholz ka thënë se NATO-ja nëpërmjet misionit të saj është garantues i sigurisë në rajon.

“NATO-ja është garantuese i sigurisë në Ballkanin Perëndimor, në Kosovë përmes KFOR-it. Gjermania merr pjesë në këtë mision përmes forcave të armatosura. Tensionet në ditët e fundit kanë ilustruar se sa e rëndësishme është kjo prani dhe që KFOR-i duhet të jetë në pozicion që të reagojë në mënyrë të duhur ndaj të gjitha zhvillimeve”, ka thënë Scholz.

E sekretari Stoltenberg ka vlerësuar Gjermaninë, si një ndër aleatët më të çmuar të NATO-s.

Që nga fundmaji, tensionet në veriun e Kosovës, të banuar kryesisht me serbë, janë rritur shkaku që serbët lokalë i kundërshtuan kryetarët e rinj shqiptarë të komunave. Dhjetëra ushtarë të KFOR-it janë plagosur, kur turma të dhunshme të serbëve i kanë sulmuar ata në protestat kundër kryetarëve të rinj në komunat e veriut që erdhën në pushtet nëpërmjet zgjedhjeve të bojkotuara nga serbët.

E në fund të shtatorit, një grup paraushtarak serb ka sulmuar policinë në Banjskë të Zveçanit, gjatë të cilit është vrarë rreshteri, Afrim Bunjaku.