Rumena Filipova: Rusia shfrytëzon ndarjet dhe tensionet kulturore-historike në Ballkan për të penguar anëtarësimin në BE

Shtetet autoritare si Rusia dhe Kina përdorin strategji të ndryshme për të penguar integrimin euroatlantik dhe për të manipuluar politikën dhe opinionin publik në Ballkanin Perëndimor. Kështu mes tjerash thotë në një intervistë për Portalb.mk Rumena Filipova, fituese e çmimit IVLP Impact të Stejt Departamentit amerikan dhe themeluese e Institutit për Analitikë Globale (IGA). Duke komentuar përplasjet e fundit midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për ndryshimin e Kushtetutës, Filipova vuri në dukje se aktorët e jashtëm po përdorin këto tensione për të mbjellë mosbesim dhe për të penguar procesin e integrimit evropian të RMV-së.

Intervistoi: Enis Shaqiri

Portalb: Si ndikojnë politikat e jashtme të shtetet që kundërshtojnë integrimin euroatlantik, si Rusia dhe Kina, në politikat e brendshme të shteteve tjera të Evropës Lindore, që ende nuk janë anëtarë të BE-së apo NATO-s?

Rumena Filipova: Kjo ndodh në disa mënyra, duke përfshirë dezinformimin, kapjen e elitës politike si dhe investimeve ekonomike korruptive. Për shembull, shtetet e tilla mund të përdorin projekte të mëdha infrastrukturore si “Iniciativa Brez dhe Rrugë” për të fituar ndikim. Sa i përket dezinformimit, këto shtete shpesh ndërhyjnë në mediat e vendeve që synojnë anëtarësimin në BE, duke përhapur mesazhe dhe dezinformata që mbjellin mosbesim ndaj procesit të integrimit evropian. Këto mesazhe shpesh pretendojnë se anëtarësimi në BE do të sjellë pasoja negative ekonomike dhe humbje të sovranitetit.

Portalb: Deri në çfarë mase janë të varura shtetet e Evropës Lindore nga këto shtete me ndikim, marrë parasysh këtu edhe qasjen në kreditë e lira nga Kina?

Rumena Filipova: Vendet që aspiriojnë anëtarësimin në BE nuk mund të thuhet se “varen nga ndikimet malinje”, pasi zakonisht janë vendet e BE-së – Perëndimit, ato që ofrojnë shumicën e investimeve ekonomike (megjithatë kjo nuk reflektohet shpesh në media apo edhe në hapësirën publike). Për më tepër, kreditë e lira nga Kina shpesh kanë kushte të rënda dhe mund të çojnë në kurthe borxhi, siç ka ndodhur në Malin e Zi. Zakonisht, politikanët që kërkojnë ndihmë financiare janë ata që më shpesh veprojnë si kanale për ndikime malinje të huaja, në pritje të përfitimeve nga shtetet autoritare.

Rumena Filipova, themeluese e Institutit për Analiza Globale (IGA). Fotografia nga profili i saj në facebook.

Portalb: A mendoni se shtetet si Rusia dhe Kina po përfitojnë nga ngadalësimi i zgjerimit të Bashkimit Evropian për të tërhequr vendet e Ballkanit Perëndimor?

Rumena Filipova: Jo, edhe pse BE-ja është kritikuar për ngadalësimin e procesit të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ajo ka investuar ndjeshëm në këto vende. Problemet e brendshme të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si qeverisja e dobët, korrupsioni dhe tensionet historike, janë arsyet kryesore për vonesat në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE). Prandaj, shtetet autoritare nuk përfitojnë nga një “dështim” i BE-së, por shpërndajnë dezinformata që përpiqen ta portretizojnë BE-në në një dritë negative, duke thelluar konfliktet dhe ndarjet brenda shoqërive të Ballkanit Perëndimor dhe duke penguar integrimin evropian.

Portalb: A mund të përmendni ndonjë rast konkret ku ndikimi i këtyre shteteve (Rusia, Kina) ka ndikuar drejtpërdrejt në politikat e shteteve të Ballkanit Perëndimor?

Rumena Filipova: Rasti i Serbisë është një shembull i qartë në këtë drejtim. Ndikimi ruso – kinez në politikë, media dhe ekonomi ka përforcuar ndjekjen e Beogradit për një politikë të jashtme “të balancuar” midis Perëndimit dhe Lindjes, duke e minuar kështu angazhimin e qartë për integrimin evropian.

Portalb: Çfarë duhet të bëjnë shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe ato të Bashkimi Evropian për t`i kapërcyer dhe parandaluar këto ndikime?

Rumena Filipova: Para së gjithash, vendet e Ballkanit Perëndimor që synojnë anëtarësimin në BE duhet të angazhohen fuqishëm në këtë rrugë dhe të përmbushin kriteret e anëtarësimit. Në anën tjetër, Brukseli do të duhet të vendosë data më të qarta për zgjerim.

Portalb: Për fund, sa ka gjasa që aktorët e jashtëm me interesa kundër integrimit euro-atlantik të shfrytëzojnë përplasjet historike dhe kulturore që janë rindezur me ndryshimin e fundit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut karshi vendeve si Bullgaria që ka të bëjë me kushtin e vetëm, ndryshimin e kushtetutës për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e shtetit, dhe me Greqinë për çështjen e emrit?

Rumena Filipova: Ata tashmë veç sa e kanë bërë këtë që po thua. Rusia, shfrytëzon ndarjet dhe tensionet kulturore-historike në Ballkan për të penguar anëtarësimin në BE.