“Rudina Fest 2026” do ta kthejë Pollogun në qendër të folklorit ndërkombëtar me pjesëmarrës nga tri kontinente

Nga 20 deri më 23 korrik do të mbahet edicioni i gjashtë i Festivalit Ndërkombëtar të Folklorit “Rudina Fest 2026”, i cili këtë vit do të bashkojë ansamble dhe grupe artistike nga vende të ndryshme të botës nën moton “One rhythm, one world”. Në festival pritet të marrin pjesë grupe nga Kolumbia, Italia, Kosova, Shqipëria, Turqia dhe Maqedonia e Veriut, të cilat do të prezantojnë vallet, kostumet dhe traditat karakteristike të vendeve të tyre, shkruan Portalb.mk.

Kryetari i SHKA-së “Jahi Hasani” nga Gostivari, Zani Memedi, për Portalb.mk tha se edicioni i sivjetshëm do të sjellë një program të pasur dhe të larmishëm, me pjesëmarrës nga disa kontinente.

“Këtë vit do të kemi pjesëmarrës nga Amerika, Azia dhe Evropa. Fatkeqësisht, nuk arritëm të kemi një grup nga Afrika, pasi, për shkak të procedurave dhe kufizimeve të vizave, grupi nga Burundi nuk mundi t’i siguronte vizat për të ardhur në Maqedoninë e Veriut. Në festival do të marrë pjesë grupi nga Kolumbia, që përfaqëson Amerikën Latine, grupi nga Turqia, grupi nga Italia, si dhe një grup nga Bullgaria, për të cilin presim konfirmimin përfundimtar të pjesëmarrjes. Gjithashtu, do të kemi edhe një grup mjaft atraktiv nga Shqipëria, grupin polifonik nga Selenica. Sigurisht, pjesë e festivalit do të jenë edhe ansamble nga Maqedonia e Veriut dhe ansambli nikoqir shoqëria kulturore artistike “Jahi Hasani” qo do të prezantohet me dy grupe, tha Memedi.

Ai theksoi se përzgjedhja e Tetovës dhe Gostivarit si dy nga skenat kryesore të festivalit ka rëndësi të veçantë për gjithë rajonin e Pollogut. Ai shtoi se këta qytete meritojnë të kenë një festival të tillë, i cili bart jo vetëm vlerat kulturore, por edhe trashëgiminë e pasur të popujve të ndryshëm.

“Tetova dhe Gostivari meritojnë Emërtimi ‘Rudina e Çegranit’, është zgjedhur për një arsye të veçantë. Ky është vendi ku në vitin 1990 u mbajtën pajtimet e gjaqeve, ndërsa gjatë krizës së vitit 1999 aty u ngrit kampi më i madh i refugjatëve kosovarë, mes fshatrave Çegran dhe Forinë. Festivali synon të përcjellë një mesazh të fuqishëm paqeje ndërmjet popujve. Ai është një festival i paqes, sepse lidhet me ngjarje historike që simbolizojnë pajtimin, humanizmin dhe solidaritetin”, tha Memedi.

Sipas tij, festivali përcjell ritmin e një bote që beson se kulturat tradicionale mund të shërbejnë si urë bashkëpunimi mes popujve të ndryshëm dhe se që nga themelimi i tij, festivali ka pasur për mision t’i bashkojë kulturat e botës dhe të dërgojë një mesazh të fuqishëm paqeje.

Ai shtoi se festivali e ka zanafillën në një histori të dhimbshme të popullit shqiptar, të lidhur me periudhën e refugjatëve kosovarë dhe plagët e luftës. Megjithatë, nga ajo dhimbje, thekson ai, lindi një festival që sot promovon paqen, mirëkuptimin dhe dialogun ndërkulturor.

” Ne jemi një popull me tradita të pasura dhe me një trashëgimi të vyer kulturore. Pikërisht këtë synon të promovojë ‘Rudina Fest’, ta përcjellë më të bukurën e kulturës shqiptare, sepse arti është gjuha universale që i bashkon njerëzit. Edhe pse jetojmë në një kohë me sfida dhe pasiguri, besoj se ‘Rudina Fest’ është një nga mënyrat më të mira për t’ia prezantuar botës traditat, kulturën dhe mikpritjen shqiptare. Gjatë festivalit do të organizohen tribuna kulturore, lojëra popullore, valle të përbashkëta, si dhe një mëngjes tradicional për drejtuesit e grupeve pjesëmarrëse, ku do të shërbehen gatime tradicionale shqiptare. Është bërë një përgatitje e madhe që çdo pjesëmarrës ta përjetojë nga afër kulturën, mikpritjen dhe shpirtin e ‘Rudina Fest’, duke e marrë me vete këtë mesazh paqeje dhe miqësie”, shtoi Memedi.

Festivali do të nisë më 20 korrik në Rudinën e Çegranit, ndërsa më 21 korrik aktivitetet do të vazhdojnë në Tetovë, në kuadër të Verës Kulturore Tetovare. Gjatë mbrëmjes së 21 korrikut do të performojë Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Shqiptare. Gjithashtu, do të ngjitet në skenë këngëtari i mirënjohur Mahmuti Ferati, ndërsa në përmbyllje publiku do ta shijojë programin artistik të ‘Rudina Fest’. Përveç vlerave kulturore, kjo periudhë përkon edhe me kthimin e mërgimtarëve në vendlindje. Prandaj, festivali është një mundësi e mirë për t’u uruar atyre mirëseardhje dhe për t’u ofruar aktivitete cilësore kulturore e artistike, në mënyrë që ta shijojnë atmosferën e verës së pasur kulturore në vendlindje.

Afishja e festivalit “Rudina Fest”. Foto: Zani Memedi
Afishja e festivalit “Rudina Fest”. Foto: Zani Memedi