RMV, pas tragjedisë në Beograd, MASh do të kthejë në shkolla komponentin edukativ

Psikologë, pedagogë, sociologë, ekspertë të sigurisë dhe dhunës kibernetike do të takohen nesër në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASh), pas së cilës do të japin rekomandime dhe konkluzione se çfarë duhet ndryshuar dhe përmirësuar në sistemin arsimor. Kjo vjen pas tragjedisë së djeshme në Beograd, ku një nxënës i klasës së shtatë vrau tetë nxënës dhe plagosi moshatarët nga shkolla ku ai mësonte. Pas përfundimit të takimit do të kumtohen konkluzionet, përkatësisht rekomandimet, të cilat ashtu siç theksuam, do të jenë hap inicues për ngritjen e kujdesit institucional për rritjen dhe zhvillimin e duhur të të rinjve, transmeton Portalb.mk.

“Ngjarjet te fqinjët tanë janë alarm serioz se angazhimi dhe shqetësimi institucional, familjar dhe individual për rritjen dhe zhvillimin e duhur të fëmijëve duhet të ngritet në një nivel edhe më të lartë. Menjëherë filluam me revidimin e komponentit edukativ të sistemit arsimor, mekanizmave për detektimin e sfidave dhe formave të mbështetjes të nxënësve dhe familjeve”, informuan nga MASh.

Nga atje theksuan se të rinjtë sot rriten në rrethana të ndryshme në krahasim me të kaluarën dhe se kohët e reja sjellin përfitime, mundësi të reja në dispozicion, por edhe shumë faktorë të rinj që mund të ndikojnë negativisht në sjelljen e fëmijëve dhe të sjellin situata me pasoja të padëshiruara.

“Zgjidhje të shumta ligjore, masa dhe aktivitetet projektuese janë realizuar në këtë drejtim. Në mënyrë të vazhdueshme po përforcohen shërbimet profesionale psikologjike-pedagogjike nëpër shkolla, po zbatohet këshillimi i nxënësve dhe prindërve të nxënësve me probleme në sjelljen të natyrave të ndryshme. Së bashku me kompanitë përgjegjëse shoqërore dhe me organizatat ndërkombëtare po implementohen projekte për mbrojtje nga dhuna. Presim mbështetje nga të gjitha faktorët e interesuar, ekspertët, sektori civil dhe joqeveritar, komuniteti i biznesit dhe partnerët ndërkombëtarë, të cilët deri më tani kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në përpjekjet për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, për mbrojtjen e shëndetit fizik dhe mendor, parandalimin e dhunës nga bashkëmoshatarët”, informuan nga MASh.

Ndryshe, dy fëmijë janë ende në gjendje kritike pas masakrës së djeshme në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” në qendër të Beogradit, të cilën e kreu një nxënës 13-vjeçar, i cili vrau me armë tetë fëmijë dhe një roje. Gjendja e pesë të plagosurve të tjerë është stabile, mes tyre edhe mësuesi i historisë, në klasën e të cilit hyri Kosta K.