RMV lavdërohet për progres në arsim, UNICEF: Keni shumë fëmijë që s’i përmbushin nivelet bazë për lexim dhe matematikë

Edhe para pandemisë, Maqedonia e Veriut përballej me krizë të mësimit. Pavarësisht përmirësimeve të vogla në suksesin e nxënësve në vitet e fundit, prapëseprapë më shumë se gjysma e të gjithë pesëmbëdhjetëvjeçarëve në vend nuk arrijnë t’i përmbushin nivelet bazë të aftësisë për lexim dhe matematikë. Për më tepër, ky nivel i suksesit arsimor duket se i riprodhon pabarazitë ekzistuese, ku nxënësit dhe vajzat me gjendje të favorshme socio-ekonomike kanë sukses më të mirë se djemtë dhe nxënësit me gjendje të pafavorshme socio-ekonomike. Ky është vlerësimi i përfaqësueses së UNICEF-it për Maqedoninë e Veriut, Patrizia DiGiovanni, publikuar me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, raporton Portalb.mk.

“E drejta e fëmijës për arsim e përfshin të drejtën për të mësuar. Mungesa e arsimit cilësor vendos pengesa të rëndësishme në rrugën e fëmijëve, kur bëhet fjalë për gjetjen e punësimit dhe realizimin e potencialit të tyre derisa ata rriten. Megjithatë, derisa e festojmë fillimin e vitit të ri shkollor, duhet të jemi të vetëdijshëm për sfidat me të cilat përballemi, andaj duhet t’i dyfishojmë përpjekjet tona për të siguruar që çdo fëmijë të marrë arsim cilësor dhe askush të mos ngel pas”, thuhet në deklaratën e DiGiovanni.

Fëmijët që kishin ngelë (pas në mësime), tani janë të rinj, të rritur dhe kalojnë në arsimin sipëror ose integrohen në fuqinë punëtore, vlerësohet më tej. Ky skenar do të vazhdojë në të gjitha grup moshat derisa të merren masa thelbësore për ta adresuar këtë çështje. Kjo është arsyeja pse ne duhet të ndërmarrim masa të menjëhershme, sepse pasojat do të jenë të thella, duke prekur si brezat aktualë ashtu edhe brezat që do të vijnë pas.

Patrizia DiGiovanni, përfaqësuese e UNICEF-it për Maqedoninë e Veriut. Foto: UNICEF Maqedoni
Patrizia DiGiovanni, përfaqësuese e UNICEF-it për Maqedoninë e Veriut. Foto: UNICEF Maqedoni

Mirëpo, pavarësisht këtyre kritikave, krerët e vendit mendojnë se janë duke investuar në arsim cilësor dhe politika të mira arsimore, megjithatë siç thonë ata, për realizimin e tyre me sukses është e nevojshme që të gjithë së bashku, institucionet dhe qytetarët, në qendër të veprimeve të tyre duhet ta kenë interesin më të mirë të nxënësve.

Këto vlerësime i dhanë ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri, në ditën e parë të vitit akademik 2023-2024, së bashku me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, ministrin e Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, si dhe disa deputetë të Kuvendit, kur vizituan Qendrën Rajonale për Arsim dhe Aftësim Profesional “Kiro Burnaz” në Kumanovë, në ditën e parë të vitit shkollor.

“Dërguan mesazh të përbashkët se Qeveria dhe Ministria investojnë në arsim cilësor dhe politika të mira arsimore, por për realizimin e tyre me sukses është e nevojshme që të gjithë së bashku, institucionet dhe qytetarët, në qendër të veprimeve të tyre duhet ta kenë interesin më të mirë të nxënësve”, u tha në njoftimin e MASh-it.

Jeton Shaqiri, Dimitar Kovaçevski dhe funksionarë të tjerë. Foto: MASh
Jeton Shaqiri, Dimitar Kovaçevski dhe funksionarë të tjerë. Foto: MASh

Megjithatë, ndryshe mendon përfaqësuesja e UNICEF-it, e cila thotë se për ta bërë arsimin cilësor dhe gjithëpërfshirës realitet për të gjithë fëmijët, vendi duhet ta rrisë financimin publik dhe investimet në arsim në të gjitha nivelet, përfshirë edhe atë parashkollor.

“Njëkohësisht vendi duhet të sigurojë që shpërndarja e burimeve për komunat dhe shkollat të jetë efikase dhe e barabartë. Alokimet e financimit duhet të jenë të përshtatshme për t’iu mundësuar shkollave t’i përmbushin standardet nacionale të arsimit dhe ta lehtësojnë qasjen dhe përfshirjen e fëmijëve më të cenueshëm, duke përfshirë ata me aftësi të kufizuara, nga pakicat etnike dhe nga amvisëritë më të varfra”, thotë DiGiovanni.

UNICEF, gjithashtu vlerëson se bazat e përgatitjes për shkollën vendosen në vitet e para, prandaj rritja e shkallës së regjistrimit në arsimin parashkollor duhet të ngel prioritet.

Përkundër krerëve të vendit, të cilët mendojnë se nuk është vetëm problemi i tyre për realizimin e politikave të mira arsimore, por edhe i qytetarëve, UNICEF, nënvizon se prindërit duhet të mbështeten për t’u përfshirë në mënyrë aktive në edukimin e fëmijëve të tyre, gjë që e rrit mirëqenien dhe besimin e fëmijës dhe është e rëndësishme për progresin akademik të fëmijëve.

Kjo nënkupton se janë institucionet ata që duhet të punojnë për t’i mbështetur prindërit në mënyrë aktive në edukimin e fëmijëve.

“Përveç kësaj, reformat e programit mësimor duhet të vazhdojnë për të siguruar që fëmijët të mund të fitojnë njohuri dhe aftësi përkatëse që do t’i përgatisin ata të lulëzojnë në botën moderne. Mësuesit dhe bashkëpunëtorët profesionistë kanë nevojë për qasje të vazhdueshme në mundësi të zhvillimit profesional cilësor, të dhëna dhe burime cilësore arsimore”, thuhet në vlerësim.

Në deklaratë më tej thuhet se, Komiteti për të Drejtat e Fëmijës tërheq vëmendjen për nevojën e zbatimit të masave, strategjive, shërbimeve dhe mbështetjes shtesë, për të siguruar që fëmijët nga shtresat e cenueshme dhe të paprivilegjuara të kenë qasje në arsim cilësor.

“Duke vënë në dukje krijimin e një linje të posaçme buxhetore për arsimin gjithëpërfshirës në buxhetin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe dy programeve financiare, që e synojnë arsimimin e fëmijëve romë, Komiteti e rekomandon rritjen e alokimeve buxhetore, me fokus të veçantë për fëmijët në gjendje vulnerabile”, thuhet në vlerësimin e DiGiovannit.

Sipas saj, çdo ditë e kaluar në shkollë është mundësi për të ofruar arsim efektiv, të barabartë dhe të qëndrueshëm për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë. Mirëpo që të ndodhë kjo, duhet të vihet një fokus më i madh në parimin bazë që burimet të orientohen në fushat ku mund të arrihen përmirësime në rezultatet e mësimdhënies dhe mësimit.

Nxënësit e klasave më të larta përgatitën një shfaqe për nxënësit e klasës së parë. Foto: Meta.mk
Nxënësit e klasave më të larta përgatitën një shfaqe për nxënësit e klasës së parë. Foto: Meta.mk

“Në vitet e fundit, Maqedonia e Veriut ka bërë përpjekje të bashkërenduara për të marrë pjesë në vlerësimet ndërkombëtare të nxënësve dhe gjithashtu përgatitet ta nisë modelin e ri nacional të vlerësimit të nxënësve. Ne duam t’i njohim dhe lavdërojmë këto përpjekje dhe ta theksojmë rëndësinë e përdorimit më të mirë të të dhënave të marra nëpërmjet vlerësimeve të tilla për analiza, diagnostikime të sistemit, përmirësime dhe sigurim të cilësisë në nivel lokal dhe nacional. Megjithatë, të dhënat dhe provat duhet të nxisin veprime në nivel të shkollës dhe nxënësit”, thuhet në deklaratën e UNICEF-it.

Ajo nënvizoi se përshëndesin miratimin e Ligjit për arsimin fillor, i cili e parashikon krijimin e parlamentit të nxënësve dhe Ombudspersonin e nxënësve, por se Komisioni e rekomandon nxitjen e pjesëmarrjes së fëmijëve dhe të rinjve brenda familjeve, shkollave dhe komuniteteve, si dhe zbatimin e mekanizmave për pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrje për çështjet që i prekin ata.

Për mungesën e arsimit cilësor Maqedonia pati kritika edhe në raportin e KE-së. Në të u kërkua që fëmijët nga komunitetet rome të rrisin regjistrimin në parashkollore.

KE-ja nga Maqedonia e Veriut në raportin e fundit kërkoi që:

  • të miratojë ligjin për arsim dhe trajnim profesional (Vocational Education and Training – VET) dhe të themelojë dhe funksionalizojë qendrat rajonale të VET-it;
  • të finalizojë dhe miratojë Ligjin për arsimin e të rriturve;
  • të përmirësojë qasjen në arsimin cilësor për të gjithë, në veçanti për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe fëmijët nga komunitetet rome të rrisin regjistrimin në parashkollore dhe të vazhdojë përmirësimi dhe mbështetja për trajnimin dhe zhvillimin profesional të mësuesve.