RMV, kallëzime penale kundër tregtarëve të pemëve dhe perimeve pasi iu shmangën tatimit
Policia Financiare ka ngritur kallëzime penale ndaj tregtarëve të pemëve-perimeve për shmangie të tatimit, transmeton Portalb.mk.
Gjatë ditës së sotme Drejtoria e Policisë Financiare njoftoi se në Prokurorinë Themelore Publike Shkup ka dorëzuar tre kallëzime penale kundër tre personave fizik dhe tre personave juridik për ekzistimin e dyshimeve të bazuara për veprën evazion tatimor nga neni 279 paragrafi 2 dhe paragrafi 3 i Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Me këto veprime të pandehurit i kanë shkaktuar dëm Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në vlerë të përgjithshme prej 18.161.097 denarë”, njoftoi Policia Finanicare.
Nga ana tjetër, ministri i Ekonomisë në lidhje me këtë rast tha se nuk do të ketë lëshime për këdo që nuk respekton vendimet e Qeverisë.
“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të denoncojnë të gjitha shkeljet, nuk do të lejojmë që të cenohen të drejtat e tyre konsumatore. Ne mbështesim punën e inspektoratit të tregut dhe policisë financiare”, tha Kreshnik Bekteshi.
Para dy ditësh, përmes një konference të përbashkët për shtyp nga drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut dhe ministri i Ekonomisë, u bë e ditur se për tregun me shumicë “Kvantashki”, për importuesit e frutave dhe perimeve, si dhe për subjektet e tregtisë me pakicë janë lëshuar urdhra kundërvajtjeje, ndërsa për subjektet tregtare që rezultojnë se kanë shmangur pagesën e detyrimeve ndaj shtetit, do të vijojnë kallëzime penale.
Ndryshe, Qeveria me 25 prill vendosi që marzha e çmimeve të produkteve ushqimore do të jetë e ngrirë deri më 30 qershor të këtij viti.
Qeveria më 28 shkurt miratoi vendim për kufizimin e çmimit të bukës së bardhë dhe gjysmë të bardhë në 33 denarë. Ndërsa, nga 16 marsi hyri në fuqi vendimi i Qeverisë për zvogëlimin e çmimeve të pastave dhe prodhimeve të qumështit. Gjobat për mosrespektim të vendimit qeveritar lëvizin prej 800 deri në 10.000 euro.