RMV-ja e shënon 11 Tetorin, Ditën e Kryengritjes Popullore Kundër Fashizmit

Në Maqedoninë e Veriut sot shënohet 11 Tetori, Dita e Kryengritjes Popullore, raporton Portalb.mk.

84 vite më parë, në këtë ditë në vitin 1941 populli i vendit u ngrit në kryengritje të armatosur kundër fashizmit.

Në urimin e saj, presidentja e vendit Gordana Siljanovska Davkova përkujtoi se festimi i 11 tetorit nuk është vetëm një kujtesë e një epopeje të lavdishme, por një thirrje për vazhdimin e saj me dialog në paqe.

“Jetojmë në një kohë të vështirë luftërash dhe kërcënimesh lufte, të turpshme për shekullin e 21-të. Jemi të ngarkuar me probleme thelbësore në realizimin e ligjit, drejtësisë, njerëzimit dhe solidaritetit. Përballemi me sfida të reja, të pazakonta për demokracinë”, tha Siljanovska Davkova.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi tha se kjo ditë e kujton rëndësinë e lirisë, solidaritetit dhe dinjitetit njerëzor, vlera mbi të cilat ndërtohet shoqëria jonë.

“Të qëndrojmë të bashkuar në përpjekjet për një të ardhme europiane, prosperuese dhe të drejtë, me institucione të forta, lidership të përgjegjshëm dhe kujdes të përditshëm për të mirën e përbashkët. Le të jetë kjo ditë nxitje për secilin prej nesh të kontribuojë me punë, dije dhe integritet për përparimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha Gashi.

Gjatë paraqitjes së tij, kryeministri Hristijan Mickoski tha se sot kur festohet guximi i paraardhësve, pasardhësit duhet ta dinë se vendi po ecën në rrugën e duhur.

“Po, rruga mund të mos jetë e lehtë. Por është e duhura, nuk është e turpshme. Dhe ne e ndërtojmë atë rrugë me zemër, me besim dhe me dashuri për atdheun.Çdo hap është për të ardhmen e fëmijëve tanë, për të rinjtë që duan të qëndrojnë, këtu në shtëpi”, tha Mickoski.

Kryetari i LSDM-së opozitare, Venko Filipçe tha se tani është e nevojshme të arrihet një konsensus kombëtar për të luftuar, siç tha ai, armiqtë më të mëdhenj të sotëm.

“Ne ende duhet të punojmë shumë, për ta forcuar këtë vend, për ta përfunduar rrugën e integrimit evropian, në mënyrë që Maqedonia të jetë një vend i bukur për të jetuar në të cilin të rinjtë do ta shohin të ardhmen. Le të gjejmë një mënyrë për të arritur një konsensus kombëtar dhe për të luftuar armiqtë më të mëdhenj të sotëm, që janë korrupsioni, partizimi dhe varfëria”, tha Filipçe.

Akademia solemne me temë “Në rrugën e duhur, për një atdhe me të ardhme” u mbajt në INQK “Marko Cepenkov” në Prilep.

Kjo ditë shënohet me organizime të ndryshme në mbarë vendin.

Për shkak të kësaj feste, 11 tetori është ditë jopune në Maqedoninë e Veriut.