RMV-ja do të dërgojë më shumë ushtarë në operacionin KFOR në Kosovë

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot ka miratuar vendimin për të dërguar më shumë pjesëtarë të Ushtrisë së vendit për të marrë pjesë në operacionin e NATO-s “KFOR” në Republikën e Kosovës, njofton Portalb.mk.

Qeveria informon se me këtë vendim parashihet që të dërgohen shtesë 35 persona.

“Vendimi u mor në bazë të rekomandimeve të përfaqësuesve të lartë ushtarakë në NATO dhe konkluzioneve të arritura në mbledhjen e shefave të Shtabit të Përgjithshëm të vendeve anëtare të nismës së bashkëpunimit në mbrojtje, me qëllim forcimin e sigurisë dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, informoi Qeveria e RMV-së.

Ata ndër të tjera theksojnë se 70 pjesëtarë të Ushtrisë do dërgohen për të marrë pjesë në operacionin e NATO-s për një periudhë gjashtëmujore, e llogaritur nga nëntori 2023 deri në maj 2024.

Me këtë vendim, Qeveria thotë se numri i përgjithshëm me të RMV-ja merr pjesë në operacionin “KFOR” në Republikën e Kosovës do të arrijë në 101 pjesëtarë të Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Së fundmi NATO-ja ka shtuar prezencën e trupave të saj në Kosovë, ky vendim erdhi pasi më 24 shtator Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit, më 24 shtator, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës, ndërkaq tre sulmues u vranë gjatë përleshjeve.

Ndryshe, misioni i NATO-s  apo KFORI në Kosovë vepron në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të garantuar sigurinë në këtë vend. KFOR-i në Kosovë ka rreth 4500 trupa në Kosovë nga 27 shtete të NATO-s dhe shtetet partnere.