Rinia e RMV-së stereotipat gjinore më së shumti i mëson në familje

Çdo i treti i ri në Maqedoninë e Veriut personalisht ka përjetuar sjelle të stereotipave gjinorë dhe ndikime negative ndaj tij, ndërkaq më së shpeshti stereotipat gjinore i kanë përjetuar vajzat e reja. Stereotipat gjinorë më së shpeshti janë përjetuar nga të rinjtë e pakicave etnike, kështu që çdo i dyti i anketuar ose e dyta e anketuar rome ose shqiptare personalisht kanë qenë të prekur nga ndikimet e stereotipave gjinorë.

Këto janë një pjesë e gjetjeve kryesore në dokumentin “Analiza e (pa)barazisë gjinore nëpërmjet këndit të të rinjve në Maqedoninë e Veriut” që sot u prezantua në Këshillin Rinor Nacional të Maqedonisë (KRNM) dhe Rrjetin Stela, Studimi fokusohet në senzibilitetin gjinor te të rinjtë, gjegjësisht stereotipat gjinorë dhe paragjykimet që i kanë të rinjtë dhe ndikimi i tyre ndaj pabarazisë gjinore në shoqëri, njofton Portalb.mk.

Më shumë se 90% e të rinjve kanë dëgjuar për termin pabarazi gjinore, por nuk janë mjaftueshëm të njoftuar me kuptimin e tij.

Se në Maqedoninë e Veriut nuk ka barazi gjinore vlerësojnë 63,1% e grave, por edhe më shumë se gjysma e vajzave të reja, gjegjësisht 55,1%.

Shumica e të anketuarve nga komunitetet shqiptare dhe maqedonase janë të vetëdijshëm për stereotipat gjinorë, por çdo i treti i anketuar i komunitetit rom nuk është i vetëdijshëm, gjegjësisht nuk e di nëse stereotipat gjinorë janë të dëmshme për zhvillimin e shoqërisë.

Analiza ka treguar se mbi 65% e të rinjve vlerësojnë se stereotipat gjinorë janë të pranishme në rrethin më të afërt.

“Është e qartë se në Maqedoninë e Veriut ekzistojnë pabarazi gjinore, të cilat patjetër duhet t’i tejkalojmë. Për ilustrim, më shumë se gjysma e grave të afta për punë nuk janë të punësuara, ndërkaq 62% prej tyre nuk kërkojnë punë pasi që kujdesen për familjen. Plotësisht, më shumë se gjysma e kohës që gratë e harxhojnë në punë është e papaguar, ndërkaq puna e tyre e paguar më pak vlerësohet. Gratë me arsim të lartë përfitojnë 22% më pak se burrat me arsim të lartë”, tha në prezantimin e dokumentit Albina Sefadini, koordinatore e programit në KRNM.

Në lidhje me atë se ku i mësojnë, dëgjojnë ose i shohin stereotipat gjinorë dhe ku të rinjtë vlerësojnë se më së shpeshti paraqiten, në vend të parë është rrethi familjarë, pastaj vijojnë rrjetet sociale dhe më pas institucionet arsimore.

Vajzat më së shpeshti i vërejnë stereotipat gjinore të cilat më së shumti i godasin, në procesin arsimor.

Më së shumti bindje të stereotipave gjinore te të rinjtë ka në lidhje me aktivitetin politik dhe pjesëmarrjen e grave në miratimin e vendimeve.

Studimi ka ardhur në konkludim se edhe pse të rinjtë pjesërisht janë të njohur me përfitimet e barazisë gjinore, gjegjësisht të cilat kushte duhet t’i plotësojë një shoqëri që të arrijë barazi të plotë gjinore, megjithatë informimi është jo i plotë dhe ka nevojë për ngritjen e vetëdijes dhe senzibilizim gjinor te të rinjtë. Gjithashtu, është e rëndësishme që gjatë krijimit të politikave dhe programeve në nivel lokal dhe nacional të bëhet vlerësim i ndikimit ndaj barazisë gjinore.