Revista “Kosova Anthropologica” është pranuar në databazën e njohur botërore

Revista “Kosova Anthropologica” që botohet nga Departamenti i Antropologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës ka hyrë në databazën Directory of Open Access Journals (DOAJ),transmeton Portalb.mk.

Databaza DOAJ-it, e tipit të hapur, ku punimet shkencore dhe revistat mund të lexohen pa pagesë, është ndër më të rëndësishmet e këtij lloji në botë. 

Kryeredaktori i “Kosova Anthropologica” Arsim Canolli, pranimin në DOAJ, e vlerësoi hap të rëndësishëm jo veç për revistën, por edhe për antropologjinë kosovare dhe Universitetin e Prishtinës. 

Ai falënderoi komisionin vlerësues të databazës së njohur që vendosi t’i thotë po aplikacionit të revistës kosovare që boton hulumtime në fushën e antropologjisë. 

“Në Directory of Open Access Journals (DOAJ) janë të vendosura 21 mijë e 296 revista shkencore me mbi 10 milionë artikuj. Numri më i ri i revistës “Kosova Anthropologica”, i publikuar në dhjetor 2024, i kushtohet jetës së dikurshme në Dardani”, njoftoi Universiteti i Prishtinës. 

“Kosova Anthropologica” sjell në pah studime të reja antropologjike/arkeologjike në Kosovë e më gjerë. Në këtë vëllim janë botuar katër punime shkencore. Arthur Laenger dhe kolegët e tij përdorin analiza kimike të tokës në Ulpianë për të zbuluar prova të aktiviteteve të ndryshme, përfshirë gropat e përgatitjes së gëlqeres dhe punëtoritë metalurgjike. Ky studim nxjerr në pah potencialin e teknikave të avancuara shkencore në interpretimin e konteksteve arkeologjike. 

Hulumtimi karpologjik i Florian Jedrusiakut hedh dritë mbi praktikat bujqësore të lashta në Dardani. Duke analizuar mbetjet e karbonizuara të bimëve, ky studim zbulon sisteme bujqësore locale dhe rajonale, duke ofruar njohuri mbi dietën dhe ekonominë e asaj kohe. 

Linda Papi eksploron ndikimet e hershme kelte në Italinë Veriore dhe Adriatikun e Epërm, duke ofruar perspektiva të reja mbi shkëmbimet kulturore dhe adoptimin e elementeve kelte nga komunitetet lokale gjatë kohës së hekurit. 

Së fundmi, Lumnije Kadriu hulumton ndikimin transformues të migrantëve të kthyer në zhvillimin rural në Kosovë. Ky hulumtim thekson se si migrantët e kthyer përdorin rrjete transnacionale dhe kapital shoqëror e financiar për të nxitur rritjen e bizneseve të tyre.