Reportazh: Sezoni veror ka nisur tashmë në Greqi, këtë vit disa nga çmimet janë “kripur”

“Gjatë gjithë kohës në kufi ka turmë, kolona kilometërshe. Kot jeni nisur herët në mëngjes. Turma zvogëlohet pak në kohën më të nxehtë të ditës” , thotë një punonjës në një nga pompat e benzinës në afërsi të vendkalimit kufitar “Bogorodicë” afër Gjevgjelisë. Për dalje nga vendi pritej rreth 50 minuta, ndërsa për të hyrë në Greqi rreth 1 orë e 10 minuta. Kjo është një tablo e zakonshme e vendkalimeve kufitare në kulmin e sezonit veror, i cili këtë vit, për shkak të motit të nxehtë, tashmë ka nisur, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Çmimet në restorante dhe në markete…

Tre porcione makarona me salcë, dy pica, dy birra dhe dy ujëra me gaz. Kjo darkë në një nga restorantet në resortin turistik të Pefkohorit në krahun Kasandra të gadishullit Halkidiki kushton 74 euro.

“Në raport me vitin e kaluar, kryesisht i kemi mbajtur të njëjtat çmime. Por, edhe këtë vit kemi kosto të rritura, andaj kemi bërë një korrigjim të vogël në një pjesë të ofertës ushqimore”, thotë një nga punonjëset e restorantit, duke sqaruar se si hotelierët përpiqen të ndryshojnë sa më pak çmimet në meny, sepse ata duan që restorantet të jenë të përballueshme nga të gjithë turistët.

Restorant në Halkidiki - Greqi. Foto: Aneta Dodevska/Portalb.mk
Restorant në Halkidiki – Greqi. Foto: Aneta Dodevska/Portalb.mk

Në taverna, restorantet e giros dhe në përgjithësi në objektet hotelierike, çmimet e ushqimit janë pothuajse të njëjta, mirëpo brenda një vendi turistik, kurse nga një vend turistik në tjetrin, mund të vërehen ndryshime më drastike të çmimeve, në varësi të popullaritetit të tij dhe strukturës së turistëve. Kështu, për shembull, një fredo espreso (espreso e ftohtë) në një restorant apo kafeteri në vende si Pefkohori, Hanioti, Polikrono, shitet nga 3,5 euro deri në 4 euro, ndërsa çmimi i frapesë së famshme është 5 euro. Çmimet e këtyre pijeve, për shembull, në Kalitea, Sunny Beach, Paluri janë më të larta.

Çmimet e pijeve në një lokal në Halkidiki - Greqi. Foto: Aneta Dodevska/Portalb.mk
Çmimet e pijeve në një lokal në Halkidiki – Greqi. Foto: Aneta Dodevska/Portalb.mk

Në markete, çmimi i pijeve freskuese është i ndryshëm në varësi të vëllimit dhe markës. Kështu, për shembull, gjysmë litri Fanta shitet nga 1,30 deri në 1,50 euro, ndërsa një litër e gjysmë nga e njëjta pije kushton 2,60 euro. Një çokollatë e markës greke Lakta kushton 2 euro, një kilogram shalqi shitet për rreth 1 euro, ndërsa pjeshkët dhe kajsitë janë më të shtrenjta. Frekuencë e shtuar vërehej jo vetëm në supermarkete, por edhe nëpër farmaci.

“Ka një ndryshim të madh çmimesh në vendin tonë, sidomos për disa vitamina, madje edhe për preparatet që i përdor si terapi kronike. Ja bleva tableta për të rregulluar kolesterolin. Këtu kam paguar 26 euro për 120 tableta, kurse në Maqedoni 60 tableta më kushtojnë 1.450 denarë”, thotë një bashkëqytetar ynë.

Dyqan frutash dhe perimesh në Halkidiki - Greqi. Foto: Aneta Dodevska/Portalb.mk
Dyqan frutash dhe perimesh në Halkidiki – Greqi. Foto: Aneta Dodevska/Portalb.mk

Çmimi i benzinës, Eurosuper 95 dhe 98 oktan kushton rreth 2 euro, ndërsa karburanti dizel është 1,77 euro, gjegjësisht 1,67 euro për litër.

Çmimet e derivateve të naftës në Halkidiki - Greqi. Foto: Aneta Dodevska/Portalb.mk
Çmimet e derivateve të naftës në Halkidiki – Greqi. Foto: Aneta Dodevska/Portalb.mk

Çmimet në plazh 

Nga 10 deri në 20 euro për dy shezllone dhe një çadër, pa pije të përfshirë – kaq kushton të marrësh me qira shezllonët në bregun e detit përgjatë krahut të parë, më të vizituar, të Halkidikit. Megjithatë, këto çmime konsiderohen të përballueshme për turistin mesatar, standard. Dashamirët e argëtimit gjatë ditës, të shoqëruar me kokteje, i vërshojnë plazhet më ekskluzive, ku çmimi i shezlloneve varet se në cilin “rresht” jeni në plazh, nga 20 deri në 50 euro.

Edhe çmimet e pijeve dhe të ushqimeve janë pak më të “kripura” në plazh. Kështu, çmimi i lëngut të frutave varion nga 4 euro e më lart, më e lira është kafeja greke 3 euro, ndërsa llojet e tjera të kafesë shiten më shtrenjtë, për shembull kapuçinoja dhe frapeja kushtojnë 4 euro, ndërsa frapeja me akullore shitet për 6 euro. Çmimi i lëngjeve të gazuara varion nga 4 deri në 6 euro në varësi të atraktivitetit të plazhit. Pijet alkoolike shiten me çmim më të lartë se 7 euro, përveç birrës, e cila në plazhe të caktuara kushton 5 euro. Më të shtrenjtat janë koktejet, çmimi i të cilave fillon nga 12 euro. Gjysmë litër ujë në plazh kushton 0,50 euro.

Plazh në Halkidiki - Greqi. Foto: Aneta Dodevska/Portalb.mk
Plazh në Halkidiki – Greqi. Foto: Aneta Dodevska/Portalb.mk

Kjo stinë verore, për shkak të temperaturave të larta, sipas hotelierëve, ka nisur më herët.

“Vitin e kaluar moti ishte shumë i ndryshueshëm, kishte reshje shiu dhe shumë turistë që i prisnim në maj, nuk erdhën. Sivjet ka shumë më tepër turistë, është shumë vapë dhe të gjithë duan të vijnë në det, plazhet janë të mbushura me njerëz, kurse turmat janë të mëdha sidomos në fundjavë sepse atëherë kemi edhe turistë vendas” – thotë një punonjës i njërit prej hoteleve.

Madje këtë vit vihet re se produktet e nevojshme për mbrojtjen nga dielli janë më të lira në krahasim me ato më cilësoret që shiten në vend, e kështu një paketë familjare për mbrojtje me faktor 50 në Greqi shitet rreth 14 euro.

Greqia e afërt gjeografikisht mbetet një nga destinacionet turistike më të vizituara për turistët maqedonas. Vlerësohet se gjatë vitit 2023, Greqia është vizituar nga më shumë se 1.100.000 qytetarë tanë, që e përfshin vendin tonë në grupin e 15 vendeve të para sipas numrit të vizitorëve në Greqi.