Pushimi veror për shkollat dhe masat për mbrojtje nga temperaturat e larta, në mesin e vendimeve të Qeverisë së RMV-së
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot ka mbajtur seancën e 174 dhe ka miratuar disa vendime, transmeton Portalb.mk.
Qeveria e RMV-së ka shqyrtuar informacionin e Ministrisë së Shëndetësisë për temperaturat e larta dhe ka miratuar masat dhe rekomandimet përkatëse të vlefshme për dy ditët e ardhshme, me qëllim të zvogëlimit të rreziqeve nga temperaturat e larta, në përputhje me Planin e Veprimit të Ministrisë.
Masat dhe rekomandimet i referohen ditëve: 26.07.2023 (e mërkurë) dhe 27.07.2023 (e enjte).
Sipas asaj që është miratuar, Qeveria rekomandon:
- Lirim nga detyrimet e punës për grupet më të rrezikuara të popullsisë, si: gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç;
- Në ambientet e kujdesit për fëmijët (kopshtet), nuk duhet të praktikohet aktiviteti fizik dhe fëmijët nuk duhet të nxirren jashtë në mes të orës 11:00 dhe 17:00;
- Njësitë e vetëqeverisjes lokale, Kryqi i Kuq dhe Qendrat për Çështje Sociale, në rajonet e prekura nga vala e të nxehtit, të ofrojnë ndihmë për personat e vetmuar, të moshuar, të pafuqishëm dhe të pastrehët;
- Duke qenë se disa procese të rrezikshme prodhimtarie dhe teknologjike mund të përbëjnë një rrezik shtesë për shëndetin e punëtorëve të ekspozuar, punëdhënësve u rikujtohet detyrimi i tyre për të respektuar rregulloret ligjore në këtë fushë.
Sipas informacioneve të marra, Qeveria ka nxjerrë konkluzione:
- Autoritetet shtetërore dhe ndërmarrjet dhe institucionet publike të respektojnë rekomandimet;
- Qeveria i rekomandon sektorit privat që të organizojë orarin e punës për të mbrojtur punëtorët nga ekspozimi i drejtpërdrejtë në diell, mbi të gjitha duke shmangur qëndrimin jashtë në periudhën nga ora 11:00-17:00;
- Të gjitha personat juridikë që kryejnë veprimtari në natyrë, të ndërpresin veprimtarinë e tyre në periudhën nga ora 11:00 deri në ora 17:00, e kjo veçanërisht vlen për punën e punëtorëve të ndërtimit;
- Kopshtet duhet të organizojnë orarin e tyre të punës nga ora 7:00 deri në orën 17:00, në mënyrë që të mos praktikojnë aktivitet fizik dhe fëmijët të mos dalin jashtë pas orës 11:00.
Pushim pranveror për shkollat
Qeveria e ka shqyrtuar informacionin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës me propozimet për Kalendarin për organizimin e vitit shkollor 2023/2024 në shkollat fillore dhe shkollat e mesme publike dhe ka marrë vendim që në vitin shkollor 2023/2024 nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm të kenë pushim pranveror.
Sipas vendimit, fillimi i vitit shkollor është 1 shtatori, gjysmëvjetori i parë duhet të përfundojë më 29 dhjetor 2023 dhe nga data 30 dhjetor 2023, nxënësit do të lëshohen në pushim dimëror deri në fillimin e gjysmëvjetorit të dytë i cili do të fillojë më 22 janar 2024.
Në periudhën nga data 29 prill 2024 deri më 5 maj 2024, nxënësit do të jenë në pushim pranveror. Viti shkollor do të zgjasë deri më 17 qershor 2024, kurse pushimet verore fillojnë më 18 qershor 2024 dhe mbarojnë më 31 gusht 2024.
Vendim për magazinimin e elbit
Qeveria, në seancën e sotme, me propozim të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave, ka miratuar Vendim për përcaktimin e elbit si produkt bujqësor, i cili i nënshtrohet masave intervenuese.
Vendimi mundëson mbështetje për ruajtje nga mbledhja e vitit 2023, për shkak të deformimit të raportit të kërkesës dhe ofertës dhe stabilizimit të tregut të elbit, që nënkupton ofrimin e një çmimi më të ulët për magazinimin ose mbulimin e kostove të magazinimit të elbit.
Qeveria ka miratuar edhe një Dekret për ndryshimin dhe plotësimin e Dekretit për procedurën e dhënies së mbështetjes financiare për ruajtjen e produkteve bujqësore, ku përveç grurit shtohet edhe elbi si produkt bujqësor që do të mundësojë mbështetje financiare për magazinimin.
Bëhet fjalë për rritjen e mbështetjes për deponim të grurit dhe elbit nga 60 denarë në 120 denarë për ton në muaj, me TVSH.
Mjete për infrastrukturën e ujit në komunat e RMV-së
Qeveria e ka shqyrtuar dhe miratuar Informatat për marrjen e Vendimit për ndarjen e mjeteve në përputhje me Marrëveshjen financiare për projektin për përmirësimin e infrastrukturës së ujit të komunave në Maqedoninë e Veriut dhe ka marrë një vendim të tillë.
Komunat në RMV dhe në qytetin e Shkupit, siç njofton Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, mjetet do t’i marrin si donacion për realizimin e investimeve prioritare për sistemet e ujësjellësit dhe kanalizimit, si dhe për sistemet e trajtimit të ujërave të zeza dhe blerjen e pajisjeve që do të kontribuojnë në përmirësimin e infrastrukturës së ujësjellësit në territorin e tyre.
Është shqyrtuar informacioni për minierën e “Illovicës”
Qeveria në seancën e sotme shqyrtoi Informatat me kronologji për procedurat për dhënien e koncesioneve për hulumtime të detajuara gjeologjike dhe shfrytëzim të lëndëve të para minerale – bakër dhe ari në lokalitetin “Illovicë”, Komuna e Bosilovës dhe Komuna e Novo Sellës të Kompanisë për prodhim, shitje dhe shërbime EUROMAX RESOURCES DOO, Shkup, me bashkëngjitje nga Ministria e Ekonomisë.
Informatat, të cilat u shpjeguan në seancë, janë sipas Propozim-procesverbalit të seancës së 171-të të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, të mbajtur më 18 korrik 2023, në lidhje me procedurat administrative dhe gjyqësore, konkluzionet dhe informacionet lidhur me shfrytëzimin e minierave. Më shumë informata për këtë çështje, do të kumtohen në konferencë për shtyp.