Punonjësit e qeverisë do të shkojnë në një team-building treditor në Ohër, Berovë dhe Strumicë për 80.000 euro
Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë, do t’i dërgojë nëpunësit e tij administrativë në team-building treditor në Ohër, Berovë dhe Strumicë për 80.000 euro, transmeton Portalb.mk.
Në shpalljen e publikuar në faqen e prokurimeve publike kërkohen hotele me minimum katër yje, dy pansione të plota për punonjësit dhe autobusë turistikë të kategorisë së lartë për transport nga “Ilindenska” deri te hotelet. Dhomat do të jenë teke. Vlera e vlerësuar e prokurimit publik është 5.000.000 denarë.
Afati i fundit për aplikim të hotelierëve dhe transportuesve të interesuar me autobus është 4 mars. Si kriter për përzgjedhjen e ofertuesve është përcaktuar çmimi më i ulët.
Sipas përshkrimit në thirrje, team-building-u është i destinuar për punë zyre, marrëdhënie me publikun dhe fusha të tjera. Janë planifikuar shtatë grupe administrate nga Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë, secili me nga 15–25 pjesëmarrës.