Procesi i rivotimit në Llërcë të Zhelinës vijon pa probleme (Video)

Derisa në Maqedoninë e Veriut rivotohet në shtatë vendvotime në njësinë zgjedhore 5 dhe 6. Portalb.mk vizitoi vendvotimin 2101 në fshatin Llërcë të Komunës së Zhelinës. Procesi zgjedhor derisa ishim aty vijonte pa probleme.

Kryetari i Komisionit në vendvotimin 2101, Telat Zeqiri deklaroi se votimi ka filluar në ora 07:00 dhe vijon siç duhet.

“Çdo gjë deri më tani është në rregull siç e shihni edhe vetë”, tha ai.

Zeqiri theksoi se edhe pse në zgjedhjet e 8 majit nuk ka qenë në këtë vendvotim, deri në ora 13 dalja është përafërsisht e njëjtë si në zgjedhjet e 8 majit.

“Incidente nuk ka, për këtë aparatin e gishtave ka raste që nuk i kapën por me skanim të dokumentin i kapën dhe çdo gjë është në rregull”, tha Zeqiri.

Në Maqedoninë e Veriut sot rivotohet për zgjedhjet parlamentare në shtatë vendvotime në njësinë zgjedhore 5 dhe 6. Përsëritja e votimit bëhet për shkak se pas zgjedhjeve të 8 majit, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) pranoi ankesat e partive politike për parregullsi në këto vendvotime, me çka anuloi votimin në këto pika. Vendimi për rivotim u vërtetua edhe nga Gjykata Administrative e cila i refuzoi si të pabaza të gjithë shtatë paditë nga Fronti Evropian kundër vendimit të KSHZ-së.

Me rivotimin e sotëm, mund të ketë ndryshim në numrin e mandateve në zonën 5 dhe 6 midis partive pjesëmarrëse në zgjedhje.

Të gjitha zhvillimet dhe detajet mbi rivotimin e sotëm në shtatë vendvotimet i gjeni në lajmin më poshtë.