Pesë kandidatë për prokuror publik të shtetit, kandidaturat u dërguan në Qeveri

Pesë kandidatë janë paraqitur në shpalljen e Kuvendit për prokuror publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe kandidaturat e tyre sot janë dërguar në Qeveri, raporton Portalb.mk.

Ndonëse nga Kuvendi nuk i bëjnë të ditur zyrtarisht emrat, disa prej tyre vetë e kanë pranuar kandidimin e tyre.

Bëhet fjalë për ushtruesen aktuale të detyrës së prokurores publike të shtetit, Anita Topollova-Isaillovska, prokuroren Lençe Ristovska, gjykatësin e Gjykatës Penale Nenad Savevski, ish-kryetarin e Gjykatës Penale Vlladimir Pançevski dhe prokuroren nga Prokuroria e Shkupit, Lidija Rajiçeviq.

Njëri nga pesë kandidatët pritet ta pasojë Lupço Kocevskin, i cili dha dorëheqje të parevokueshme në dhjetor të vitit të kaluar.

Në vend të tij, si ushtruese detyre e prokurores publike të shtetit u emërua Anita Topollova-Isaillovska, e cila ishte kandidate e vetme, por në këtë pozitë nuk mund të qëndrojë më shumë se gjashtë muaj.

Procedura për zgjedhjen e prokurorit të ri publik të shtetit filloi me shpalljen e publikuar nga Kuvendi më 12 janar të këtij viti, me afat aplikimi prej 15 ditësh nga dita e publikimit në “Gazetën Zyrtare”.

Sipas Ligjit për Prokurorinë Publike, kandidaturat e pranuara i dërgohen Qeverisë. Pas aplikimit, Qeveria kërkon mendim nga Këshilli i Prokurorëve Publikë për të gjithë kandidatët. Këshilli është i obliguar të dorëzojë mendime brenda 15 ditësh. Nëse Këshilli nuk jep mendim pozitiv për asnjë nga kandidatët e paraqitur, Qeveria nuk mund të përcaktojë propozim dhe i propozon Kuvendit shpalljen e thirrjes së re. Prokurori i ri publik i shtetit duhet të zgjidhet me 61 vota të deputetëve.