Personat me aftësi të veçanta në RMV duan të përfshihen në ligjvënie, duan kushte më të mira

Personat me aftësi të veçanta kërkojnë të përfshihen në miratimin e ligjeve të rëndësishme për ta dhe të jenë pjesë e grupit parlamentar ndërpartiak për të drejtat e kësaj kategorie qytetarësh, raporton Portalb.mk.

Këto kërkesa ky grup i qytetarëve i shprehën sot në promovimin e përbërjes së re, të tetë të Grupit Parlamentar Ndërpartiak (GPN).

“Të formohen më shumë seksione ku do të përfshihemi. Unë dua që në mandatin e ardhshëm disa nga këta persona këtu, me aftësi të veçanta, të jenë në anën tuaj ose të bëhen deputetë, tha Dejan Gjorgjievski nga “Mobiliteti Maqedonia”.

Qasja në objekte, shërbimet , asistenca personale, e drejta për rehabilitim, pajisjet ortopedike, suplementet dhe shumë të tjera janë gjëra që u mungojnë personave me aftësi të veçanta.

Ata kërkuan që të ndahen më tepër fonde në vitin 2025.

“Përpara se ta votoni, tregoni qeverisë se duhet të përfshijë dimensionin e aftësisë së veçantë në buxhet. Është obligim juaj sipas Konventës”, tha Jelena Trajkoviq nga “Mobiliteti Maqedonia”.

Kryetari i ri i GPN-së Nikolla Micevski, paralajmëroi organizimin e tryezave të rrumbullakëta dhe debateve publike një herë në muaj në Kuvend, me përfshirjen e personave me aftësi të veçanta.

“Rekomandimet që do të dalin nga këto takime, ne si politikanë duhet t’i zbatojmë në mënyrë të duhur, sipas mundësive dhe kompetencave tona”, tha Micevski.

Nënkryetarja e përbërjes së re të GPN-së, Vesna Bendevska tha se edhe pse vendi e ka ratifikuar Konventën e OKB-së për të drejtat e personave me aftësi të veçanta në vitin 2011, institucionet nuk i zbatojnë obligimet.

“Konventa është pjesë e këtij sistemi juridik. Çështja është se sa i respektojnë institucionet detyrimet e marra. Do t’ju them aspak”, tha Bendevska.

Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, në fjalën e tij theksoi se duhet të përpiqemi për një sistem arsimor gjithëpërfshirës dhe për mundësi të barabarta punësimi për personat me aftësi të veçanta.

“Ky komunitet është një grup jetik i shoqërisë sonë, ndërsa potenciali dhe vizioni i tyre për të kontribuar në fusha të ndryshme të organizimit shoqëror është i pakufizuar”, tha Gashi.

Kujtojmë se Bashkimi Evropian, në Raportin e përditësuar vjetor 2023, i publikuar në maj të këtij viti, mbi të Drejtat e Njeriut dhe Demokracinë në Botë, ka renditur ngecjet dhe përparimet e vendit në periudhën e fundit. Çështja e diskriminimit dhe margjinalizimit të personave me aftësi të kufizuara, situata me burgjet dhe kushtet e punës së gazetarëve mbeten disa prej çështjeve që kanë mbetur në vend numëro që prej vitesh. Këto janë në fakt, kërkesa që KE i bëri edhe në raportin vjetor të progresit për vendin.

Portalb.mk në vazhdimësi ka ngritur çështjen e problemeve dhe sfidave me të cilat përballen kjo kategori e personave që po margjinalizohet në gjitha komunat e vendit.