Përfundoi cikli i katërt i programit të shkëmbimit MIRAI: 13 të rinj nga Ballkani Perëndimor vizituan Japoninë

Pritja në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Japonisë shënoi zyrtarisht fundin e rrugëtimit shtatë ditor për 13 të rinjtë nga Ballkani Perëndimor, të cilët vizituan Tokën e Diellit në kuadër të “Programit të Lidhjeve Shoqërore të Japonisë” – MIRAI, transmeton Portalb.mk.

Nga data 13-20 shkurt, 13 të rinj të përzgjedhur përmes një procesi shumë konkurrues me më shumë se 400 aplikues, patën mundësinë të vizitojnë vende të rëndësishme historike dhe institucione arsimore në Tokio dhe Hiroshima, dhe përmes dialogut dhe diskutimeve të thellojnë njohuritë e tyre mbi ndërtimin e paqes dhe zgjidhjen e konfliktit.

Pjesëmarrësit e MIRAI-t patën mundësinë të përfshihen në diskutim të frytshëm mbi ndërtimin e paqes me studentët dhe një profesor nga Universiteti i Sofias, ku ndanë të kuptuarit e tyre për paqen dhe përmes punës në grup, ofruan zgjidhje për tejkalimin e kërcënimeve të paqes.

“Shpresoj që edhe të rinj të tjerë të shquar nga Ballkani Perëndimor të përfitojnë nga kjo mundësi unike për të vizituar Tokën e Diellit në vitet e ardhshme”, tha Dado Dervanoviç, pjesëmarrës nga Mali i Zi.

Gjatë ditëve të para të vizitës, pjesëmarrësit mësuan gjithashtu për përpjekjet e Japonisë drejt ndërtimit të paqes .

“Si dikush që vjen nga rajoni i plagosur nga konflikti, turneu i Hiroshimës më shërbeu si një katalizator i fuqishëm për reflektim dhe transformim. Më sfidoi të rimendoj pikëpamjet e mia për ndërtimin e paqes dhe pajtimin, duke më nxitur të çlirohem nga cikli i dhunës dhe të përqafoj një qasje më të dhembshur dhe gjithëpërfshirëse për zgjidhjen e konflikteve”, tha Medinë Dauti, pjesëmarrëse nga Kosova.

Vizita në Japoni ofroi gjithashtu përvoja unike kulturore.

“Ndryshe nga Ballkani, ku shpeshherë mungon përpikëria dhe detyra qytetare, shoqëria japoneze lulëzon me ndjenjën e përgjegjësisë për pastërtinë, rendin publik dhe zhvillimin kombëtar. Përkushtimi i tyre ndaj arsimit si gur themeli i progresit, i ilustruar nga iniciativat për të mirëpritur studentët e huaj, qëndron në kontrast të plotë me stagnimin dhe ndarjen që mbizotëron në disa rajone të Ballkanit”, theksoi Blendi Hodai, pjesëmarrës nga Maqedonia e Veriut.

Deri tani, rreth 70 të rinj nga rajoni i Ballkanit Perëndimor patën mundësinë të marrin pjesë në programin MIRAI, të gjithë duke ndarë përshtypjen e përvojës që ndryshon jetën që zgjeron perspektivat e tyre për marrëdhëniet ndërkulturore, ndërtimin e paqes dhe rrjetëzimin.

RYCO thekson se do të vazhdojë zbatimin e tij në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Japonisë, dhe procesi për përzgjedhjen e kandidatëve do të hapet në fund të vitit në formë thirrjeje të publikuar në faqen e internetit të RYCO-s.