Për Senën që rrjedh mes librash dhe bukinistin e qytetit pa lumë

Ishte një fjali nga një novelë e famshme e Cvajgut “Bukinisti Mendel” që ma la një fjali me të cilën më vonë do t’i vlerësoja tregtarët e librit nëse shesin libra ose tulla (“Bukinsti Mendel shiste libra, jo tulla”). Bukinisti nga Prishtina, Florim Beqiri shet libra me plot kuptimin e fjalës, i pozicionuar në mes të sheshit të Prishtinës si një personazh i dalë nga një libër i trishtë. Përpiqet të mbijetojë kësisoj. Libra të përdorur ose libra të dorës së dytë siç i quajnë librat që i kanë fiksim bukinistët, ndërsa më i saktë do ishte termi libra të rrallë, pasi në këto qoshka gjen libra ose botime që nuk i gjen dot në asnjë librari të botës.

Për Portalb.mk përmes një bashkëbisede ngritëm një paralele krahasimi me trajtimin e bukinistëve në Paris, ndryshe nga trajtimi i keq në botën shqiptare për shtëpizat e librit dhe bukinistët e saj.

Florim Beqiri, bukinist
Florim Beqiri, bukinist

Florimi çdo ditë nxjerrë libra të rrallë që i qëmton mes pirgjeve të mëdha të ndonjë biblioteke të nxjerrë në rrugë (zakonisht e gjyshërve që ze vend), CD, gramafona, disqe, gjëra që zgjojnë nostalgji dhe na bëjnë t’i këmbejmë me miqtë nëpër inbokse. Libra me atome gjyshërish, stërgjyshërish që kanë shkuar dorë më dorë. Që mbajnë kujtime, gjen një lule të tharë midis faqesh, një njollë kafeje, një shënim a nënvizim me stilolaps. Florimi nxjerr fjali, nënvizime nga këto libra pasi është lexues i zellshëm që e do fort librin. Personazh që ia shton kuptimin Prishtinës dhe libërdashësve u jep një arsye më shumë të nisen ta vizitojnë. Florimi ngre zërin për trajtimin e padrejtë ndaj bukinistëve, hidhërohet kur nuk e lejojnë të jetë pjesë e panaireve, herë-herë dëgjohen zëra se si dëshirojnë ta largojnë nga ai vend.

Ai është autor i një libri: Koha që nuk kthehet më (shënimet e një librashitësi) Lena, 2018, ndërkohë punën e bukinistit  e bën nga viti 1999.

Si duket jeta e një bukinisti shqiptar?

Florim Beqiri: Po e filloj përgjigjen në pyetjen tuaj me titullin librit të Bekim Fehmiut “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme”.

Mendoj se është përshkrimi më i bukur që vlen për gjithë shpirtrat e njerëzve që profesioni i tyre ka lidhje me artin.

Përditshmëria e një bukinisti nuk është kurrë e njëjtë. Do të ketë çdo ditë klientë të ndryshëm. Mungesë të ndonjë libri që ishte në rafte ditën e djeshme dhe ndonjë libër i ri i ardhur ndërkohë. Pra jeta e një bukinisti do të zhvillohet në mes dy ekstremeve “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme”.

E shkëlqyeshme sepse qëndron me anën më të mirë njerëzore, dijen, butësinë, urtësinë, vlerat morale. Gjithë këto vlera të një bukinisti pranohen individualisht nga qytetaria. E tmerrshme pasi që përfitimet nga të qenit bukinist janë më të ulta se të një lypsari.

Libra nga shtëpiza e Florimit
Libra nga shtëpiza e Florimit

Po kush i blen këta libra?

Florim Beqiri: Përherë është një simpati e një pjese të vogël miqsh që e duan librin, të cilët blejnë vazhdimisht libra dhe kurrë nuk pyesin për çmimet e librave.

Do të thuash ka interes?

Florim Beqiri: Ka një rënie të interesimit për librin  ndër vite. Unë kam mbajtur shënime për shitjet ditore të librit që nga viti 1999 deri tani, është e pakuptueshme dhe aq e trishtë sa shumë ka rënë dashuria për librin.

Nëse me leximin nënkuptojmë zhvillim njerëzor atëherë ne shqiptarët për fat të keq tonin dhe të pasardhësve jemi duke u kthyer mbrapsht me dije, me kulturë e duke humbur vlerat një kombi të civilizuar.

Nga furnizoheni me libra?

Florim Beqiri: Librat e përdorura i blejmë nga individ që i shesin bibliotekat private. Janë edhe disa tregje në Prishtinë e qytete tjera ku një herë në javë shiten mallra të ndryshme të përdorura e ku ndodh që herë- herë individ të shesin dhe libra nga bibliotekat personale.

Shtëpiza e librit e Florimit
Shtëpiza e librit e Florimit

Cila është pengesa më e madhe që e has si bukinist?

Florim Beqiri: Një kufizim i madh në punën e një bukinisti nga Kosova me dekada është edhe regjimi i vizave. Pra unë nuk kam pasur mundësi si bukinist të udhëtoj në vende tjera për tu furnizuar me libra të përdorura. Kur dihet se shqiptarët koha dhe përpjekja për mbijetesë i ka bërë të flasin gjuhë të huaja. Fare lehtë do të ishte e mundur që të sjellim libra nga jashtë për tregun vendas por shtetet e huaja kishin vendosur kufizime të ashpra qarkullimi e pushteti ynë as në Kosovë e as në Shqipëri nuk ishin të interesuar të na dëgjojnë për të na ndihmuar.

Kishte dyshtetësi për politikanët kosovar por ju nuk mund ta gjeni as një bukinist të jetë pajisur me shtetësi shqiptare.

Me këtë dua të them se një bukinist nuk ka asnjë privilegj nga shteti edhe pse puna që ai bën është një aktivitet patriotik dhe me interes kombëtar.

Libra nga shtëpiza e Florimit
Libra nga shtëpiza e Florimit

 

Bukinistët e Parisit

Nuk ka ndonjë version të saktë se si ky term ka hyrë në përdorim pikërisht në jetën e më pas fjalorin e Parisit për të përshkruar shitësit e librave ambulantë siç i quajnë në Shqipëri, një version thotë  se, gjatë Revolucionit Francez kur ra interesimi për botimet qarkullonin veç gazetat dhe broshurat dhe një grup njerëzish që shisnin libra në parapet e Senës. Fillimisht kjo lloj shitje ishte e çorganizuar derisa u vunë rregulla dhe ligje për tu pranuar si treg libri alternativ dhe sot, ndoshta nuk mund ta besoni, por për të fituar një vend punë përgjatë dy anëve të Senës, për t’iu bashkangjitur bukinistëve të Parisit ka kërkesa e kushte, testim në krejt ato qindra CV që dërgohen kur hapet ndonjë konkurs për një vend të lirë pune. Pasi bukinisti në Paris nuk është një shitës i thjeshtë librash, por një profesion, një shkollë që kërkon një njohje paraprake librash siç e ka Florimi.

Rruga e Bukinistëve të Parisit përgjatë dy anëve të Senës është marrë nën mbrojtjen e Uneskos. Edhe Prishtina i ka disa bukinistë në shesh që trajtohen jo siç e meritojnë dhe siç do t’i kishte trajtuar Parisi, por ata shitës e duan dhe e njohin gjënë që e shesin, me gjithë mend shesin libra, jo tulla siç zakonisht shesin nëpër librari të ndryshme në të shumtën e rasteve, njerëz që pak ose aspak kimi me librin kanë.

Anatol Franci në Krimin e Sylvestre Bonnard-it (1881), na tregon për këta librashitës të dorës së dytë: “Bukinistët vendosin sirtarët e tyre mbi parapet. Këta marshues të guximshëm të shpirtit, që jetojnë pa ndalur në vende të hapura, bluzat e tyre  janë prej  ere, janë punuar aq mirë nga ajri, shiu, ngrica, bora, mjegulla dhe dielli i madh, saqë përfundojnë si statujat e vjetra të katedraleve.”

Për  Senën thuhet se është lumi i vetëm në botë që rrjedh midis librave. E pra, Prishtina s’ka lumë që i do librat aq shumë.