Për presidenten e RMV-së pushtimi ushtarak rus në Ukrainë është vetëm “operacion ushtarak”
Presidentja e Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska i është referuar pushtimit ushtarak rus në Ukrainë si “operacion ushtarak rus”. Davkova këtë deklaratë e ka dhënë gjatë pritjes tradicionale vjetore për trupin diplomatike në vend. Kjo ka nxitur reagime të shumta në opinion në mbarë vendin, shkruan Portalb.mk.
“Ne kemi mbajtur anën e Ukrainës që nga fillimi i operacionit ushtarak rus, besojmë se kjo nuk është vetëm për shkak të një politike të vetme evropiane, por edhe jashtë parimit. Dhe unë pyes – çfarë ndodhi me të drejtën ndërkombëtare, organizatat ndërkombëtare, gjykatat ndërkombëtare?”, ka deklaruar presidentja Gordana Siljanovska Davkova.
Aktivisti dhe njohësi i çështjeve politike, Xhabir Deralla në reagimin e tij kundër retorikës së presidentes Sijanovska- Davkova ka shprehur habinë se si një profesoreshë universitare si presidentja e vendit, e cila ligjëron lëndën “Sovraniteti – Teori dhe praktikë” mund ta bëjë këtë gafë.
“Profesoresha universitare, tashmë presidente e shtetit, në Fakultetin Juridik “Justinianus Primus”, e cila, mes tjerash ligjëron edhe lëndën “Sovraniteti – Teori dhe Praktikë”, thjesht nuk bëri dallim mes agresionit ushtarak rus siç njihet në të gjithë botën dhe frazës “operacion ushtarak rus”, e natyrshme kjo për fjalorin e propagandës ushtarake ruse që nga fillimi i agresionit ushtarak në vitin 2022”, ka shkruar Deralla.
Opozita shqiptare: Skandaloze dhe e papranueshme deklarata e presidentes
Kundër fjalorit të presidentes kanë reaguar edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
“Përshkrimi i një agresioni të përgjakshëm që ka shkaktuar vuajtje të pafundme si një “operacion ushtarak” relativizon aktet kriminale dhe mohon realitetin e hidhur që po përjeton populli ukrainas. BDI riafirmon qëndrimin e saj të palëkundur në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe dënon çdo përpjekje për të përdorur gjuhë që i përshtatet propagandës së Kremlinit. Përfaqësuesit e lartë të shtetit duhet të pasqyrojnë qartë dhe me përgjegjësi pozicionin e vendit tonë, duke respektuar angazhimet tona ndërkombëtare dhe aleancat strategjike”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Nga aty i bëjnë thirrje presidentes të reflektojë mbi përgjegjësinë e saj për të përfaqësuar me dinjitet dhe qartësi interesat dhe vlerat e Maqedonisë së Veriut”, thonë nga BDI.
Aleanca për Shqiptarët, krahu i Ziadin Selës, e ka vlerësuar si skandaloze dhe të papranueshme deklaratën e presidentes, Gordana Siljanovska Davkova.
“Kjo është hera e parë që një shtet anëtar i NATO-s, përdor retorikën zyrtare të Putinit dhe propagandën e Kremlinit zyrtar për një konflikt të paprovokuar që ka shkaktuar vdekjen e mijëra civilëve të pafajshëm. Përdorimi i shprehjeve të këtilla cënon pozicionin ndërkombëtar dhe aspiratat euro-integruese, ndërsa konfirmon edhe një herë mentalitetin dhe orientimin pro rus të Qeverisë aktuale. Për këtë skandal presim distancim të qartë nga drejtuesit e Qeverisë si dhe kërkim falje dhe korigjim nga vetë presidentja”, thuhet në reagimin e ASH-s.
Kujtojmë se, me të filluar pushtimi ushtarak në Ukrainë, vendet anëtare të NATO-s kanë dënuar shkeljen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe janë rreshtuar në mbështetje të Ukrainës, ndërkaq pushtimin ushtarak rus Aleanca e NATO-s e cilëson si: “luftë brutale e paprovokuar kundër Ukrainës, që është një vend i pavarur, paqësor dhe demokratik dhe një partner i ngushtë i NATO-s”.
Maqedonia e Veriut është bërë anëtare e NATO-s më 27 mars 2020.
Ndryshe, RMV-ja që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë , kësaj të fundit i ka dhënë mbështetje në forma të ndryshme.