Pas një informacioni nga FBI-ja, u arrestuan dy persona në Reçicë të Madhe
Njësia e Krimit Kibernetik e Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke vepruar mbi informacionin e marrë fillimisht nga FBI-ja, kreu një hetim të përbashkët të koordinuar në lidhje me një treg të paligjshëm online të njohur si “OLVX”, shkruan Portalb.mk.
Sipas të dhënave zyrtare, tregu ka funksionuar që nga korriku i vitit 2023 dhe përmbante të dhëna personale të komprometuara për mbi 2.600 përdorues dhe 1.500 shitës, ndërsa vlera totale e transaksioneve ka tejkaluar 500.000 dollarë amerikanë. Hetimi është zhvilluar në bashkëpunim me FBI-në, sipas informacionit fillestar të marrë nga agjencia amerikane.
Mbi bazën e urdhrit gjyqësor të Gjykatës Themelore Tetovë, policia realizoi bastisje në fshatin Reçicë e Madhe, Komuna e Tetovës, te të dyshuarit A.E. (20) dhe A.I. (23), shtetas të Maqedonisë së Veriut, për të cilët ekziston dyshimi se janë administratorët e tregut. Ata u kapën në vendngjarje duke kryer veprën penale për të cilën dyshohen.
Gjatë kontrollit u konfiskuan kompjuterë, laptopë dhe telefona, të cilët do të analizohen për të siguruar provat e nevojshme për procedurën penale.
Sektori për krim kompjuterik ka njoftuar se hetimet vazhdojnë për identifikimin e të gjithë personave të përfshirë dhe sigurimin e provave shtesë, në përputhje me ligjet në fuqi.
Ndryshe, ky është rasti i dytë kur autoritetet shtetërore me informacione të marra nga FBI, arrestojnë dhe kryejnë hetime mbi vepra të dyshuara penale.