Partitë e djathta duan të bëjnë një BE dhe Ballkan të ri

Dita- D na kujton se sa e rëndësishme është të jesh në anën e drejtë të historisë. 80 vite më parë, forcat aleate vendosën të luftojnë Gjermaninë e Hitlerit nga toka dhe deti. Siç dihet, rritja e fashizmit dhe nazizmit ka pasur një ndikim të madh në çështjet evropiane dhe botërore. Para pushtimit të Polonisë, Partia Naziste Gjermane (NSDAP) dhe ajo fashiste në Evropë me vite me radhë kishin ngritur një ideologji kundër popujve tjerë. Që nga ajo kohë e deri në Ditën -D, aktualiteti i sotëm në BE me fuqizimin e partive të djathta duhet të jetë një mësim për të ardhmen jo vetëm të Evropës.

Ndërsa partitë dhe politikanët e krahut të djathtë përgatiten të marrin një numër të konsiderueshëm në Parlamentin Evropian në zgjedhjet e 6-9 qershorit të 2024-ës, tek pjesa tjetër të botës dhe në Ballkan, ngritja e së djathtës mund të ketë gjithashtu disa pasoja- për arsye të përbërjes së ndryshme etnike dhe fetare. Ngritja e partive të ekstremit të djathtë në Ballkan, bashkë me partitë simotra të BE-së, do të ketë efekte të drejtpërdrejta në politikën e jashtme të BE-së, sepse në të dyja krahët nuk do të ketë një kufi të qartë në paraqitjet publike- në gjuhën e urrejtjes kundër komuniteteve dhe grupeve të tjera etnike.

Politikat e partive të djathta në Ballkan, konsistojnë në një shkallë të lartë me një përmbajtje të shovinizmit e me theks në implementimin e të njëjtave politika në programet qeveritare. Politika të tilla në shekullin e kaluar kanë pasur një ndikim të madh në zhvillimin e shoqërive dhe të marrëdhënieve ndërshtetërore. Rritja e partive aktuale të krahut të djathtë në të gjithë Evropën dhe Ballkan, mund të jetë vdekjeprurëse për demokracitë e brishta, për shkak të teknologjive të avancuara dhe rolit të propagandës.

Në këtë drejtim, senatorë amerikanë nga të dyja partitë politike amerikane, kanë shfaqur disa shqetësime serioze për rritjen e autoritarizmit në botë dhe në veçanti në Evropë. Rusia, Hungaria dhe Serbia bashkë me të djathtën evropiane dhe atë ballkanike mund të konsiderohen si aktorët kryesorë të rritjes së urrejtjes. Këtë e bëjnë me mbështetje të politikave agresive kundër fqinjëve dhe dëmtimit të komuniteteve brenda shteteve të tyre.

Meqenëse ngritja e partive të krahut të djathtë në BE do të ketë ndikim në politikat e BE-së në të ardhmen, kjo mund të jetë një tjetër shenjë e keqe për vendet tjera që priten të jenë pjesë e BE-së. Në veçanti, Kosova, Bosnja dhe Maqedonia e Veriut, pavarësisht premtimeve të diplomatëve të Brukselit, me një të djathtë të fuqishme në Parlamentin Evropian, mund të hasin në pengesa të reja në integrimet evropiane.

Në këtë peizazh euro-ballkanik, disa ngjarje meritojnë një vëmendje të veçantë. Kështu ditë më parë lideri separatist i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik është takuar në Shën- Petërsburg me presidentin e Rusisë Vlladimir Putin. Dodiku, për agjencinë ruse të lajmeve TASS tha se “referendumi për pavarësinë e Republikës së Bosnjë-Hercegovinës do të mbahet, ndërsa data ende nuk është përcaktuar”. Serbët e Kosovës gjithashtu vazhdojnë të mbeten pjesë e politikave të qeverisë serbe në Beograd kundër Kosovës. Ekstremistë serbë vazhdojnë të mbeten pjesë të grupeve radikale që e minojnë ligjin dhe sovranitetin e Kosovës.

Partitë politike të serbëve të Kosovës e kanë lëshuar Parlamentin. Janë duke zhvilluar aktivitete kundër shtetësisë së Kosovës, dhe promovuar politika separatiste. Po ashtu në Maqedoni të Veriut, me fitoren e VMRO-DPMNE-së (parti me orientim të djathtë nacionalist), janë shfaqur dyshime se qeveria e re do të fillojë një fushatë të brendshme revanshiste kundër kundërshtarëve politikë, dhe politika separatiste ndaj shteteve fqinjë.

Në kontekst të zgjedhjeve evropiane dhe forcimit të së djathtës në Parlamentin Evropian, atmosfera nga veriu i BE-së e deri në jug të Ballkanit shkon në favor të rritjes së partive të djathta. Fushatat e partive të djathta në BE, sigurisht se do të kenë si cak emigracionin, çështjet sociale dhe Ukrainën.

Ndërsa partitë e djathta në Ballkan, do të vazhdojnë me fjalimet e fuqishme kundër të tjerëve, me gjasë të bërjes pjesë të lojërave të aktorëve të jashtëm. Andaj Dita-D e zbarkimit të forcave aleate në Normandi dhe në Evropën Perëndimore duhet të shërbejë si mësim për të sotmen dhe të ardhmen, se sa keq mund të përfundojnë kombet poqese ideologjitë bëhen pjesë të politikave të mëdha pa ndonjë kufizim gjeografik.

 Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.