Paketë e re ndihmash për Ukrainën nga RMV-ja, paralajmëroi ministri i Mbrojtjes

Kërkesa e re për ndihmë që Ukraina i ka dërguar vendit, së shpejti duhet të shqyrtohet në seancë të Qeverisë, kështu tha sot ministri i Mbrojtjes Vllado Misajlovski, transmeton Portalb.mk.

Ai informoi se Ukraina ka paraqitur kërkesë të tillë te autoritetet e vendit gjatë samitit të fundit të NATO-s të mbajtur në Uashington.

Siç tha ai, për ta shqyrtuar kërkesën në seancë të Qeverisë dhe për të marrë vendim përfundimtar, pritet që të gjithë ministrat të marrin certifikatat e sigurisë sepse bëhet fjalë për informacione të natyrës konfidenciale.

“Së shpejti do të dalë ai informacion dhe do të njoftohet se çfarë pajisje shtesë do të jepen”, tha Misajllovski.

Në të njëjtën kohë ai bëri të ditur se në periudhën e ardhshme duhet të bëhet një vlerësim i vlerës së gjithçkaje që vendi i ka dhënë Ukrainës si ndihmë, e cila, siç tha ai, do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, RMV-ja disa herë ka dërguar ndihma për Ukrainën, si në pajisje ushtarake ashtu edhe në ndihma humanitare.