Opera dhe Baleti Nacional në Shkup përmbylli 2024 me shumë aktivitete, Dibrani: Ishte viti më i suksesshëm që nga themelimi në 1947

Përgjatë vitit që lamë pas, Opera dhe Baleti në Shkup, organizoi aktivitete kulturore të ndryshme duke sjellë vepra, artistë, koncerte, ekspozita, këto ishin pikërisht aktivitetet që bënë që Opera dhe Baleti të ketë numrin më të madh të biletave të shitura që nga themelimi, transmeton Portalb.mk.

Burhan Dibrani, shef i Sektorit të Marketingut dhe Marrëdhënieve me Publikun për Portalb.mk tha se se viti 2024 ka qenë një vit i stërmbushur me ngjarje të ndryshme, projekte dhe me performanca nga më të suksesshmet. Ai theksoi se për Operën dhe Baletin në Shkup, 2024 ishte viti me i suksesshëm që nga themelimi në vitin 1947.

“Kishte interesim të jashtëzakonshëm sa që shumë herë na kanë munguar bileta. Viti 2024 ishte vit me më shumë bileta të shitura, 27.172 bileta të shitura dhe me më së shumti të ardhura me 12.864.860 denarë”, tha Dibrani.

Dibrani shtoi se edhe përgjatë vitit 2025 pritet të ketë një numër të madh të projekteve të cilat i kanë paraparë.

“Me datë 11 dhe 13 janar 2025, fillojmë me koncertin tradicional me rastin e Ditës së “Shën Vasilit”. Këtë vit bëhen 30 vite nga mbajtja e parë e koncertit tradicional. Me 17 dhe 24 janar në orën 20:00 baleti klasik “Sheherzada” nga Nikollaj Rimski Korsakov dhe “Nata Valpurgjike” nga Sharl Guno. Më 31 janar në orën 20:00 kemi operën klasike “Kavaleria Rustikana” nga kompozitori i njohur italian Pjetro Maskanji. Më 21 janar nga ora 19:00 do të shfaqet vepra “Doktori Ufsamëdhëmbi” (balet në dy akte për fëmijë), dhe me 28 janar, nga ora 19:00 do të shfaqet baleti “Arrëthyesja” nga Petar Iliç Çajkovski”, tha Dibrani.

Edhe muajt në vijim pritet të jenë me shumë aktivitete.