Oborret e shkollave fillore në Çair në gjendje të mjerueshme, institucionet në gjumë

Oborret e disa shkollave fillore të Komunës së Çairit janë në gjendje të mjerueshme dhe me terrene sportive të dëmtuara. Portalb.mk vizitoi disa nga shkollat fillore të Çairit, në terren shihet se në disa prej tyre mungojnë terrenet sportive. Nxënësit duan kushte më të mira, Ministria e Arsimit e hedh përgjegjësinë te komuna, kurse Komuna e Çairit hesht në pyetjet gazetareske.

Pamje të shëmtuara 

Oborret e shkollave fillore të Çairit janë të mbuluara me mbeturina, me gjethe dhe me kullosa të pakositura. Disa nga shkollat nuk kanë terrene sportive.

Vizituam shkollën fillore “Kongresi i Manastirit”. Këndi i lojërave ishte i shkatërruar. Oborri prapa shkollës ishte në gjendje të frikshme, kullosa ishte e pakositur me mbeturina dhe me fruta që kanë pikuar nga druri i manit në çimento, ku këtë pjesë nxënësit e përdorin për aktivitete sportive gjatë orës së edukatës fizike. Kjo pjesë nuk kishte asnjë kusht për aktivitete sportive, golat ishin të krijuara me gurrëz, nuk kishte as shënim me ngjyrë të fushës së lojës.

Shkolla fillore “Jashar Bej Shkupi” ka hapësirë më të vogël. Kushtet nuk ishin adekuate. Murret ishin të shkatërruara dhe të shënuara me shkrime të ndryshme madje edhe me fjalë të pista. Çimentoja për të ecur drejt shkollës ishte e shkatërruar, e thyer dhe me gropa, e cila shfrytëzohej edhe për parking të veturave. Kishte edhe një terren sportiv i vogël që shfrytëzohej për lëndën e edukatës fizike gjegjësisht për të luajtur futboll, me gola pa rrjetë ndërsa si karrige për publikun shfrytëzohej murri.

Shkollës fillore “Tefejjuz” pa dyshim i mungonte pastërtia e oborrit. Që në hyrje të oborrit gjëja e parë që të bie në sy janë mbeturinat. Kullosa ishte e pa mirëmbajtur sidomos te pjesa e prapme e oborrit që ishte goxha e madhe, telat që e kishin rrethuar oborrin e shkollë ishin të thyera madje në disa anë nuk kishte fare. Terreni sportiv gjithashtu ishte i shoqëruar me mbeturina. Golat nuk kishin rrjetë, hapësira ishte e pa vizatuar njëkohësisht edhe shtyllat e basketbollit ishin pa rrjetë dhe dysheme prej betoni të pa vizatuar.

Shkolla fillore “Liria” në hyrje kishte shkallë me plaka të thyera. Në këtë shkollë nuk ka terren për aktivitete sportive.

Nxënësit duan kushte më të mira

Edhe pse pa hapësirë për aktivitete sportive dhe pavarësisht problemeve në terren, nxënësit me të cilët biseduam u shprehën të kënaqur me terrenet sportive, megjithatë shprehën dëshirën që gjendja të përmirësohet.

Naser Kryeziu nxënës në shkollën “Liria” klasa e nëntë tha se “në oborr të shkollës do kisha dashur që të ketë një çeshme për të pirë ujë, kënd lojërash dhe një pishinë”.

Xheneta Mustafa nxënëse tjetër po e të njëjtës shkollë tha se dëshiron të ketë më shumë hapësirë për tu ulur.

“Mendoj se ka pak ulëse si dhe pllakat janë të vjetra do kisha dashur të jenë të reja. Unë personalisht nuk e ndjej mungesën e terrenit sportiv në oborr sepse mjafton salla sportive dhe preferoj më shumë që lëndën e arsim edukim fizik ta mbajmë ne sallën sportive brenda”, tha Mustafa.

Rrëfehet stafi i shkollave

Salajdin Zekir drejtor i shkollës fillore Tefejjuz në Çair. Foto Portalb.mk
Salajdin Zekir drejtor i shkollës fillore Tefejjuz në Çair. Foto Portalb.mk

Portalb.mk bisedoi me drejtorin e shkollës “Tefejjuz”, Salajdin Zekirin. Ai tregoi se si shkollë nuk e përdorin shumë terrenin sportiv dhe se oborrin e kësaj shkolle më së shumti e shfrytëzojnë fëmijët e lagjes për aktivitete dhe se këtyre nuk ju pengon.

“Ne nuk jemi përgjegjës për këtë sepse pas orarit të mësimit në oborrin në stadiumin vijnë të luajnë fëmijët e lagjes së Gazi Babës dhe ne nuk mund ta mbajmë mirëmbajtjen e saj. Këtë mirëmbajtje duhet ta bëj komuna e jo ne dhe ato vijnë vetëm një herë në javë. Sa u përket edhe mbeturinat e shkollës i hedhin qytetarët ne nuk mund t’i ndalojmë”, tha Zekiri.

Sedat Baftiu, arsimitar i Edukatës Fizike të shkollës fillore Liria në Komunën e Çairit. Foto e dërguar nga Sedat Baftiu
Sedat Baftiu, arsimitar i Edukatës Fizike të shkollës fillore Liria në Komunën e Çairit. Foto e dërguar nga Sedat Baftiu

Arsimitari i Edukatës Fizike nga shkolla fillore “Liria” Sedat Baftiu theksoi se nuk e ndjejnë mungesën e terreneve sportive.

“Kemi salla vetëm në ambiente të mbyllura ndërsa në ambient të hapur nuk e shoh të arsyeshme pasi që këtu do të krijohet një situatë tjetër, p.sh do të vijnë klubet tjera sportive do të intervenojnë, do bëjnë terminë, ne për ashtu kemi fushën e sportit që e shfrytëzojmë deri ora 18:00”, tha Baftiu.

Ministria e Arsimit “shfajësohet”

Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës për këtë problem thekson se me procesin e decentralizimit, shkollat fillore dhe të mesme janë nën juridiksionin e komunave, ndërsa vetëqeverisjet lokale janë përgjegjëse për t’i menaxhuar dhe mirëmbajtur.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës investon në ndërtimin dhe rikonstruksionin e objekteve shkollore, për të cilat iniciativë ngrit vetë komuna, e cila vë në dukje nevojën për investime. Çdo kërkesë e cila parashtrohet deri te MASH-i për realizimin e ndonjë investimi kapital shqyrtohet me kujdes dhe sillet vendim, konform prioritetit të nevojave dhe buxhetit vjetor në dispozicion, ku dhe në cilat shkolla do të investohet”, thanë nga MASH.

Komuna e Çairit hesht

Për këtë problem me të cilin ballafaqohen nxënësit për çdo ditë pyetëm edhe Komunën e Çairit, por ata nuk u përgjigjën për këtë problem.

Përndryshe, Portalb.mk ka raportuar mbi këtë problem për shkollat fillore të Gostivarit dhe Tetovës ndërsa ditët në vijim do të publikohet storja edhe për shkollat e Kumanovës.